Liderët, pa marrëveshje për datën e zgjedhjeve

Desk
By Desk May 12, 2020 19:21

Liderët, pa marrëveshje për datën e zgjedhjeve

Liderët politik, edhe pas takimit prej më shumë se tre orësh te Presidenti, Stevo Pendarovski, nuk arritën të dakordohen për një datë të mundshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Deri sa kreu i LSDM-së Zoran Zaev beson se këtë do ta definojë përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme, shumë nga liderët e tjerë në takim, deklaruan se janë të rëndësishme edhe vlerësimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesve të OSBE/ODIHR-së të cilët duhet të sigurojnë monitorimin e procesit.

Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së
“Sot të paktën u bë e qartë se mënyra e vetme e shpalljes së zgjedhjeve është në pajtim me dekretin e Qeverisë e cila parasheh 22 ditë nga përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme në shtet. Nëse shpallet gjendje e re e jashtëzakonshme prej 30 ditësh, zgjedhjet do të ishin më 7 korrik, nëse shpallet gjendje jashtëzakonshme prej dy javësh, zgjedhjet do të ishin më 21 qershor, nëse shpallet gjendje jashtëzakonshme prej një javë, zgjedhjet do të ishim në 14 qershor.”

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së

“Duhet të konsultohemi me komisionin për sëmundje ngjitëse dhe asnjëri nga ne nuk duhet ta problematizojë mendimin e tyre kur të vendosin se çfarë masash do të merren dhe si do të zbatohen ato. Puna e dytë është konsultimi me KSH-në për kohën e nevojshme për zbatimin e këtij procesi të drejtë dhe të besueshëm, me kusht që pika e parë të jetë plotësuar. Më tej, të vendoset komunikim me OSBE/ODIHR-në për organizimin e misionit vëzhgues.”

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
“Ndodhemi në situatë lufte me armik të padukshëm dhe të panjohur që rrezikon jetën e çdo qytetari. Përderi sa jemi në luftë, në luftë fjalën e kanë gjeneralët dhe në këtë rast, gjeneralët tanë janë ekipet shkencore, ekipet mjekësore, mjekët, epidemiologët…”

Ziadin Sela, kryetar i ASH-së

“Unë besoj që kemi konsensus për një çështje. E para është shëndeti i qytetarëve por nga ana tjetër duhet të kemi shumë kujdes edhe për shëndetin e shoqërisë dhe të shtetit. Ne duhet patjetër ta vendosim demokracinë parlamentare dhe zgjedhje patjetër që duhet të mbahen. Besoj se secili prej aktorëve politik do ta ketë parasysh faktin që në zgjedhje të shkohet në momentin kur virolenca e virusit të jetë më e vogël.”

Bilall Kasami, kryetar i Besës

“Rregullativa ligjore sa i takon organizimit të zgjedhjeve është një rregullativë për kushte të zakonshme, kushte normale. Prandaj ne kërkuam edhe në takim që të diskutohet për rregullat dhe masat e jashtëzakonshme të cilat do të vlejnë në këto zgjedhje, me të vetmin qëllim që të gjithë subjektet politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje, të jenë të gatshme që ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.”

Presidenti Stevo Pendarovski, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “facebook” konfirmoi se mbetet të kërkohet qëndrim i Komisionit për sëmundje ngjitëse kurse një mendim duhet të japë edhe KSHZ, sa ditë do t’i duhen për organizimin e zgjedhjeve. Kryeministri Oliver Spasovski do të kërkojë vlerësim nga misioni I OSBE/ODIHR-së për gatishmërinë e tyre për monitorimin e zgjedhjeve të mundshme.

Desk
By Desk May 12, 2020 19:21