Ligji i ri për taksat, pse Neymar do zgjidhte Juven

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 26, 2019 21:07

Ligji i ri për taksat, pse Neymar do zgjidhte Juven

Neymar shtyn për t’i dhënë një kthesë të fortë të ardhmes së tij, por te PSG-ja vazhdojnë ta mbajnë të prangosur, si rrjedhojë e kontratës që ai ka me parisienët.

Emiri Naser Al-Khelaifi mësohet se ka pasur një bisedë të gjatë telefonike me presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, sepse siç nënvizon “L’Equipe”, katalanasit as që kanë ndërmend që ta lëshojnë sulmuesin brazilian, por nga ana tjetër duan edhe një favor nga ana e francezëve për ta paguar ndoshta sezonin e ardhshëm kartonin e lojtarit.

Por, edhe pse me këto kushte, PSG-ja as që ka ndërmend të hyjë në bisedime. Është spanjollja “Mundo Deportivo” që këmbëngul se Neymar ka vendosur që të vlerësojë mbi të gjitha edhe aspektet financiare personale, duke parë telashet e mëdha me të cilat do i duhet të përballet.

Në Spanjë, kthehet apo jo te Barcelona, atë e pret një gjyq për evazion fiskal prej 35.5 milionë eurosh që duhet të zgjidhet, por në të njëjtën kohë, nëse arrin vërtet që të bëjë këtë rikthim të bujshëm, 27- vjeçari do të përballet me taksa shumë të larta.

Arsyeja është se ligji spanjoll thekson se për çdo të huaj që fiton mbi 2 milionë euro në sezon, në vitin e pestë të kontratës (4 i ka kryer tashmë me Barcelonën), nuk do të taktohet më me 24 për qind, por me 52 për qind, gjë e cila tremb jo pak Neymar.

Ndërsa në Itali, gjërat kanë ndryshuar, falë ligjit të ri të hyrë në fuqi tri muaj më parë. Për milionerët, nga Italia e mesme e deri në veri, kushdo do të taksohet vetëm 30 për qind, nga 49 që ishte më parë, ndërsa në jug vetëm me 10 për qind.

E gjithë kjo do të bënte që Neymar të preferonte shumë herë më shumë Italinë, pikërisht Juventusin, ku do e mirëpriste miku i tij, Cristiano Ronaldo.

Madje, ky i fundit mund të jetë arsyeja se përse papritur bardhezinjtë shohin mundësinë e afrimit të brazilianit dhe nxjerrjen në shitje të disa sulmuesve me radhë si Dybala, Kean apo edhe Mandzukic.

Fundja, me largimin e këtyre do të financohej edhe kartoni i Neymar, ndonëse paga mbetet problemi më i madh. Te PSG-ja Neymar fiton 38 milionë euro neto, por në Torino, Juventusi mund të arrijë deri te 20 milionët në sezon dhe për momentin diferenca duket vërtet shumë e madhe.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 26, 2019 21:07