Ligji për përdorimin e gjuhëve, Sela: Nuk ka përkthyes e lektorë të mjaftueshëm

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 25, 2019 20:18

Ligji për përdorimin e gjuhëve, Sela: Nuk ka përkthyes e lektorë të mjaftueshëm

Agjencia për zbatimin e Ligjit për gjuhët, ka shpallur konkursin për punësimin e 13 personave. Por, drejtori i saj, Ylber Sela, për TVM2 thotë se sfida më e madhe mbetet mungesa e kuadrit profesional.

Aktualisht vendi nuk ka mjaftueshëm përkthyes e lektorë profesionistë, e sipas tij në këtë drejtim universitetet duhet të japin kontributin e tyre. Përkujton se jo çdo shqipfolës e njeh gjuhën standarde dhe përkthimet u duhen lënë profesionistëve të vërtetë.

“Shtrohet pyetja se a kemi ne kapacitete apo aq përkthyes që t’i mbulojmë të gjithë institucionet në Maqedoni. Unë them që jo. Ne kemi në numër, në sasi kemi, por nëse e shohim me kompetencë që ta bëjnë punën ashtu siç duhet, nuk kemi. Kemi nëpër institucione përkthyes të cilët nuk e kanë kryer gjuhën shqipe apo fakultetin e përkthimit, lektorimit e kështu me radhë, mirëpo përkthejnë… Prandaj, kjo mbetet sfidë jo vetëm e Agjencisë, por mbetet sfidë edhe e universiteteve në Maqedoni të cilët ofrojnë programe për përkthyes, për lektorë e kështu me radhë. Po ashtu në listë nuk është parashikuar edhe çështja e licencimit të lektorëve”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për gjuhë, Ylber Sela.

Shqipja në tabela dhe përkthimet në institucione, Sela: Nuk na konsultojnë, prandaj ka edhe gabime

Me fillimin e implementimit të dygjuhësisë nëpër institucione, u shfaqën probleme të shumta. Nuk munguan as gabimet drejtshkrimore nëpër tabelat e vendosura nëpër institucione apo rrugë.

Fajtor për këtë, sipas Selës, është mos-bashkëpunimi i institucioneve me Agjencinë. Ai u apelon institucioneve që të mos hamenden por të konsultohen me ta, sepse Agjencia u krijua pikërisht për të parandaluar gabimet e tilla.

“Ne kemi edhe e-mailin tonë info@apj.gov.mk, mundet të na drejtohen edhe nëpërmjet e-mailit ose direkt, vetëm e vetëm që ne t’u japim ndihmë. Ka institucione që këtë e kanë bërë dhe kur e kanë vendosur tabelën nuk ka pasur asnjë gabim, sepse janë konsultuar me ne. Ka institucione të cilat fare nuk janë konsultuar, ose ia kanë dhënë ndonjë shqiptari aty që nuk është gjuhëtar, ose nuk është profesionist i përkthimit dhe kanë ndodhur gabime, ka munguar një ë, ka pasur ndonjë shkronjë plus dhe ajo ka shkaktuar reagime edhe te qytetarët”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për gjuhë, Ylber Sela.

Problem për Agjencinë ende përbën buxheti i ndarë për funksionimin e saj. Paratë kanë qenë të mjaftueshme për fazën e parë të punës, por për dy fazat e tjera nevojiten mjete shtesë. (TVM2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 25, 2019 20:18