Ligji për Prokurorinë Publike, Boshnjakovski: PSP nuk shkon në histori

Desk
By Desk 10 Prill, 2019 20:13

Ligji për Prokurorinë Publike, Boshnjakovski: PSP nuk shkon në histori

Prokuroria Speciale Publike nuk shkon aspak në histori, por do të vazhdojë të funksionojë, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, duke mohuar kështu zërat se në bisedimet me opozitën është vendosur se PSP nuk do të funksionojë më.

“Ligjin absolutisht nuk e shkruajmë për ne, por për qytetarët e RMV-së. Qëllimi është të kemi 2/3 e votave. E dini që ky ligj është njëri nga ligjet reformuese të cilin përfaqësuesit e vendeve të BE-së presin që ta miratojmë bashkërisht me gjetjen e zgjidhjes së përbashkët. Dua të potencoj se PSP nuk shkon aspak në histori dhe se nuk është e vërtetë se në bisedime me opozitën është dakorduar që PSP më nuk do të funksionojë. Përkundrazi, PSP do të funksionojë”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Por, edhe përkundër optimizmit qeveritar për fatin e PSP-së, nuk po shihen avancime në negociatat mes pushtetit dhe opozitës. Së fundmi, në vend të grupeve negociuese, u takuan Zaev dhe Mickovski.

VMRO-DPMNE: NËSE DUAN SHTET LIGJOR, TË PRANOJNË KËRKESAT TONA

VMRO vazhdon të këmbëngulë se topi për fatin e PSP-së është në oborrin qeveritar, e nëse ekzekutivi do të angazhohej vërtetë për shtet të së drejtës, do të pranonte amendamentet e opozitës.

“Nëse duam të kemi prokurori të pavarur publike, nëse duam luftë të vërtetë me krimin dhe korrupsionin, presim pranimin e këtyre kërkesave nga ana e Qeverisë. Negociatat vazhdojnë, grupet e punës mblidhen dhe punojnë. Sa i përket propozimeve të fundit, normalisht se ekipi ynë i VMRO-DPMNE-së bën analiza dhe në ditët në vazhdim do t’i vazhdojë takimet dhe do të shohim se e gjithë kjo si do të rezultojë. Shpresojmë që Qeveria do të vetëdijesohet dhe do t’i pranojë kërkesat tona dhe do të kemi sukses në negociata”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.

Nga Ministria e Drejtësisë janë decidë se nuk mund të ketë lëshime për amendamentet e VMRO-DPMNE-së për shuarjen e PSP-së pasi të mbarojnë procedurat gjyqësore për 20 akuza, apo shkrirjen e saj në një seksion në kuadër të PKOK-ut.

Nuk ka lëshime as për amendamentet e VMRO-DPMNE-së për ndalesë të hetimeve pas 30 qershorit 2017 dhe për amendamentin alternativ të VMRO-DPMNE-së që PSP-ja e ardhshme të mos ketë autonomi, sqarojnë nga kjo ministri. (TVM2)

Desk
By Desk 10 Prill, 2019 20:13