Lista Serbe: Duam ta rrëzojmë Qeverinë Kurti

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 20:43

Lista Serbe: Duam ta rrëzojmë Qeverinë Kurti

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe tha se dëshiron që ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një njoftimi për media, kjo parti tha se Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha kjo parti.

Reagimet e fundit të Listës Serbe vijnë pas deklaratave të bëra nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, deklaroi më 2 gusht se Lista Serbe është e “devalvuar politikisht” dhe tha se në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi tha se ajo bashkëpunon me grupe kriminale.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe, por sipas Kushtetutës, kjo parti merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe nuk e ka votuar Qeverinë e Kurtit, në seancën e mbajtu më 22 mars të vitit 2021.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, po ashtu tha se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq, nuk gjendet në veri të Kosovës. Ai tha se Radoiçiq në fillim të korrikut ka incizuar një video në veri të Kosovës dhe më pas ka dalë nga territori i shtetit.

Por, Lista Serbe tha se Radoiçiq ishte i pranishëm më 31 korrik në barrikadat e ngritura në këtë pjesë të vendit.

“Deputetët dhe ministrat e Listës Serbe janë të vetmit përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, prandaj është e nevojshme që veprimet pasive të zëvendësohen me një rol pro-aktiv në zgjidhjen e problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Në atë proces është e nevojshme të vendoset një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të pandërprerë me popullatën lokale, sektorin joqeveritar dhe të gjithë akterët relevantë nga radhët e komunitetit serb në Kosovë”, u tha në njoftim.

Ndryshe, Lista Serbe përfaqësohet në Qeverinë e Kosovës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, ndërkaq po ashtu ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës./REL

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 20:43