Lista zgjedhore LSDM-BESA, gjithë kryetarët shqiptarë bartës në zonën 6?

Desk
By Desk March 4, 2020 20:40

Lista zgjedhore LSDM-BESA, gjithë kryetarët shqiptarë bartës në zonën 6?

12 marsi është afati i fundit kur partitë duhet t’i dorëzojnë lista e deputetëve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.  Partitë ngurrojnë të tregojnë emrat që do të jenë bartës në listash në 6 zonat zgjedhore. TV21 jozyratrish nga burime të tij ka mësuar për përbërjen e listave të përbashkëta të LSDM-së dhe Lëvizjes Besa që tashmë kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

Në njësinë zgjedhore numër 1, nga radhët e socialdemokratëve përflitet emri i ministrit Nikolla Dimitrovit e nga Besa në të njëjtin listë pritet të jetë nënkryetari i partisë Kastriot Rexhepi.

Në njësinë 2, bartës kryeministri aktual Oliver Spasovski ndërsa nga Besa pritet të jetë Abdush Demiri.

Në zonën 3 dhe 4 me shumë gjasa “Besa” nuk do të ketë kandidat për deputet, ndërsa nga LSDM bartës tek njësia 3 përflitet emri i sekretarit gjeneral Lupço Nikollovski, kurse tek 4-ta kryetari i partisë Zoran Zaev.

Milla Carovska ka shanse të prijë listën e njësisë 5, ndërsa në të njëjtën listë nga “Besa” mund të jetë sekretari gjeneral Arjanit Hoxha.

Njësia e 6 është e vetmja ku bartës liste është Besa, gjegjësisht kryetari i saj Billall Kasami e këtu pritet të garojnë edhe deputetët Fadil Zendeli e Teuta Bilalli.

Burimet e TV21 nuk tregojnë se në çfarë pozita do të jenë kandidatët e Besës në këto lista të përbashkëta, megjithatë pohojnë se “do të jenë në vende fituese”. Kryetari i Besës ndërkaq pohon se arritja e 61 deputetëve përmes këtij koalicioni të tij me Zaevin nuk është diçka e paarritshme.

“Ne sigurisht se jemi të sigurt që ky koalicion do të jetë fitues dhe për herë të par do të arrijë të sigurojë 61 mandate që është numër i mjaftueshëm për të bërë edhe qeverinë e ardhshme”, theksoi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Kreu i DPMNE-së Hristijan Micskoski po ashtu është i bindur në fitoren e partisë se tij dhe koalicionit, me të cilët thotë se po bëhen konsultimet e fundit për lista.

“Sipas asaj që jemi marrë vesh të martën do të kemi mbledhje të Komitetit Qendror ku do të miratohen listat e deputetëve dhe përbërja e koalicionit me të cilën VMRO-DPMNE do të dalë në zgjedhje ndërsa të mërkurën do te kemi ngjarje ku do të prezantohen të njëjtat”, deklaroi Mickoski.

I pyetur nëse Micskoski do të jetë në ndonjë prej listave, ai u tha gazetarëve të presin deri të martën. Këtë gjë për veten e tij nuk e tregon as kreu i PDSH-së Menduh Thaçi, i cili sot as nuk deshi të japë deklarata politike.

“Se keni ndjekë, deklaratën e keni, unë e kam mbushur pushkën për arushë… do ketë raste tjera…”, potencoi Thaçi.

E në fund, pranoi të komentojë…

Thaçi: “Aty ku do të dalë Alia, edhe unë do të dal…

TV21: I vetëm do të merrni pjesë në zgjedhje apo…

Thaçi: Jo kjo s’është e sigurt, ka edhe mundësi të tjera…

TV21: Me LSDM-në a?

Thaçi: S’e di…”

Aleanca për Shqiptarët lista do t’i publikojë një ditë para se t’i dorëzojë në KSHZ.

“Ne kuvendin qendror e kemi më 11 mars dhe më 11 mars do t’i dini emrat e saktë të të gjithë kandidatëve tonë nëpër lista. Një është e sigurt se në njësinë nr.6  z.Ziadin Sela do ta fitojë z.Ali Ahmetin”, theksoi Arben Taravari, sekretar gjeneral i ASH-së.

Po të mbledhësh gjitha deklaratat, gjithë kryetarët e partive shqiptare pritet të jenë bartës liste në njësinë 6, pra Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Bilall Kasami e Menduh Thaçi. (Tv21)

Desk
By Desk March 4, 2020 20:40