Listat e hapura për politikanë të përgjegjshëm

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 30, 2020 19:59

Listat e hapura për politikanë të përgjegjshëm

Aplikimi i modelit zgjedhor me lista të hapura nga zgjedhjet lokale të tetorit të vitit të ardhshëm, do të jetë një mundësi e mirë që të vijnë në shprehje kandidati dhe qytetari të votojë për të preferuarin e tij. Ky lloj votimi do ti demokratizojë edhe nga brenda strukturave vet partive politike. Ky është konstatimi i përbashkët edhe i analistëve edhe përfaqësuesve të partive politike, duke komentuar ndryshimet në Kodin zgjedhor të paralajmëruara nga ministria e drejtësisë.

Listat e hapura zgjedhore janë mundësi e mirë që qytetarët të zgjedhin kandidatin më të mirë, por edhe një tentim për demokratizimin e brendshëm partiak, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, pas paralajmërimeve që erdhën nga Ministria e Drejtësisë se në zgjedhjet e ardhshme lokale do të votohet me lista të hapura. Kjo, sipas pushtetit do të jetë një hyrje në realizimin e përcaktimit për ndryshim të modelit zgjedhor dhe vendosjes së një njësie zgjedhore.

LISTAT E HAPURA DHE DEMOKRATIZIMI BRENDAPARTIAK

Analisti Selim Ibraimi konsideron se listat e hapura janë një mundësi e mirë që njerëzit që merren me politikë angazhimin e tyre ta kuptojnë si përgjegjësi, por shton se ky ndryshim në Kodin zgjedhor do të demokratizojë edhe vet partitë për brenda tyre. “Listat e hapura janë dhe duhet të praktikohen në të gjitha zgjedhjet pra proceset zgjedhore pasi është e vetmja mundësi që votuesi ta njohë kandidatin e vet, cilësinë dhe projektet bashkë me idetë konkrete të kandidatit, Kjo duhet të hyjë në përdorim menjëherë në Maqedoninë e Veriut dhe pa hezitim. Nëse janë parti të hapura dhe demokratike, ky sistem i ri do të vë vlera të reja nëpër partitë tona dhe në përgjithësi. Pasi deri më tani kemi kandidatë që votuesi nuk i njeh dhe nuk e din se kush është përfaqësuesi i tij apo i saj. Kjo është marrëzi dhe asgjë nuk sjell në sistemin që pretendojmë demokratik. Lisa e hapura do t’i eliminojë gabimet që një kandidat nga Kërçova ose Struga të zgjidhet në rajonin e Shkupit apo Kërçovës. Maqedonia për shumë gjëra është prapa dhe tash është koha që të tregohet një farë shteti bashkë me liderët tanë”, deklaroi për KOHA, Ibraimi.

ÇFARË NËNKUPTOJNË SAKTËSISHT LISTAT E HAPURA?

Listat e hapura nënkuptojnë se qytetarët mund të votojnë për atë kandidatë për deputet apo këshilltar komunal për të cilin ato vlerësojnë se është më i miri, pavarësisht se ku është renditur në listën e këshilltarëve komunal ose listën e kandidatëve për deputet. Me sistemin aktual zgjedhor në zgjedhje shkohet me lista të mbyllura, ndërsa qytetarët votojnë për një parti ose koalicion dhe me këtë nuk kanë mundësi që të votojnë për një kandidatë të tyre të preferuar. Kjo në fund të procesit zgjedhor nënkupton se deputet bëhen ato kandidat të cilët janë të pozicionuar më lartë apo në pozita fituese në listat e partive varësisht nga votat që fiton në zgjedhje një parti e caktuar politike. Ndërsa me modelin e listave të hapura, deputet bëhen ato kandidat të cilët marrin më shumë vota nga qytetarët.

PARTITË ME MBËSHTETJE PËR LISTAT E HAPURA

Lidhur me atë se kur mund të bëhen këto ndryshime në Kodin zgjedhor, ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq së fundmi ka deklaruar se kjo do të varet nga vullneti i partive më të mëdha politike në vend. “Besoj se mund të arrihet pajtueshmëri që në zgjedhjet e ardhshme lokale në muajin Tetor të mundësohet një shkallë më e lartë e demokratizimit, gjegjësisht listat e kandidatëve për këshilltar të jenë të hapura dhe qytetarët të votojnë sipas preferencave të tyre. Kjo do të jetë një hap para drejt dëshirës dhe përcaktimit që e kishim në zgjedhjet e fundit parlamentare, për lista të hapura dhe një njësi zgjedhore”, ka deklaruar Mariçiq.
Ndërkohë edhe partitë politike opozitare japin mbështetje për listat e hapura dhe një njësi zgjedhore. Nga VMRO-DPMNE-ja për KOHA thonë se listat e hapura dhe një njësi zgjedhore paraqet bazë solide për të filluar bisedimet me pushtetin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por, nga kjo parti propozojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në një raund zgjedhor me qëllim që të kursehen parat e qytetarëve në një periudhë të krizës së rëndë ekonomike. Nga kjo parti po ashtu vlerësojnë se është koha e fundit që të rregullohet edhe çështja e votimit të diasporës.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për KOHA theksojnë se janë partia e para e cila ka dal hapur në mbështetje të listave të hapura, ndërsa të njëjtën e thonë edhe nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës, nga ku shtojnë se listat e hapura si model zgjedhor duhet të aplikohet edhe në zgjedhjet parlamentare, pasi që të arrihet konsensus mes të gjitha partive politike në vend. “Padyshim që jemi për modelin e një procesi zgjedhor me lista te hapura, por jo vetëm për zgjedhjet lokale por edhe për ato parlamentare. Fillimisht duhet të behet pastrimi i listave zgjedhore fiktive, të hapet debati edhe për zonat zgjedhore dhe më pas me konsensus të ndryshohet Kodi zgjedhor. Këto ndryshime duhet të bëhen në koordinim me ekspert të kësaj fushe dhe ne bashkëpunim me opozitën, për të qenë ndryshime kredibile dhe funksionale”, deklaroi për KOHA, zëdhënësi i ASH-së, Flakron Bexheti.

Edhe Lëvizja BESA e Biall Kasamit mbështet propozimin për listat e hapura zgjedhore, pasi që kjo, sipas tyre është mënyra më e mirë për ti dhënë qytetarit për të votuar për kandidatin që e preferon. “Lëvizja BESA mbështet propozimin për listat e hapura, sepse vlerësojmë se është mënyra më e mirë për t’i dhënë qytetarit mundësin që të sheh për cilin kandidat voton. Edhe para zgjedhjeve parlamentare, kërkesa e Lëvizjes BESA ka qenë për lista të hapura, sepse listat e hapura do e demokratizonin skenën politike në vend”, deklaroi për KOHA, zëdhënës i Lëvizjes BESA, Elemedin Memishi.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut për momentin votohet sipas modelit proporcional me gjashtë njësi zgjedhore. Nga secila prej tyre zgjidhen 20 deputet. Me ketë model zgjedhor mundësitë janë minimale që partitë e vogla, edhe përkundër se marrin një numër të konsiderueshëm të votave, të fitojnë mandat deputeti. Një shembull i tillë ishte edhe Demokracia e Re e Imer Selmanit, RDK e Rufi Osmanit, VMRO-Popullore e Lupço Georgjievskit e cila edhe pse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 arkëtojë 28 mijë vota, megjithatë nuk fitoi asnjë mandat deputeti. (koha.mk)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 30, 2020 19:59