Liturgjia në Strugë, prifti: Askush nuk është përgjegjës

Desk
By Desk May 8, 2020 19:44

Liturgjia në Strugë, prifti: Askush nuk është përgjegjës

Pas liturgjisë së mbajtur për ditën e Shën Gjergjit në Strugë, ku nuk u respektua as distanca sociale dhe as dekreti qeveritar që ndalon mbledhjen e më shumë se dy personave, prifti i Strugës u arsyetua se ky ishte një organizim vetëm për kishat e jo për njerëzit. Ai tha se nuk është faji i tyre as edhe i policisë që u grumbulluan qytetarët pa i respektuar rregullat.

“Absolutisht asnjë nuk është përgjegjës, i tejkalon strukturat e mia, un nuk mund të përgjigjem për asnjë. Për këtu, për rastin tonë, në Shën Gjergj, ne dhamë çdo gjë prej vetes, edhe disa njerëz tanë nuk ishin në gjendje që ta ndajnë popullin. Mos flasim për atë se policia u mundua shumë, ne bashkëpunonim çdo minutë ditën e djeshme se si të mbajmë rend, si ta bëjmë që të mos ketë njerëz, por nuk arritëm.”,- tha prifti i Strugës.

Prokuroria e Strugës nis hetimet për liturgjinë

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka nisur hetimet në lidhje me praninë masive të qytetarëve në liturgji fetare në Strugë.

“Veprimi i Prokurorisë është për shkak të pranisë së qytetarëve në liturgjinë në kushte të pandemisë, kur nuk janë respektuar vendimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për respektim të rregullave shëndetësore si ndalesa për grupim në grupe më të mëdha prej dy personave, distanca e nevojshme prej dy metrash mes personave dhe mbajtja e maskave mbrojtëse.”,- u tha nga Prokuroria.

Për të vërtetuar faktet në lidhje me rastin, Prokuroria e Strugës ka dorëzuar kërkesë deri tek Ministria e Brendshme në Strugë për të kontrolluar ngjarjen dhe për të identifikuar autorët e mundshëm të veprës penale.

Komuna e Strugës: Nuk ishim në dijeni për manifestimin

Nga ana tjetër, komuna e Strugës ka bërë të ditur se nuk ka qenë në dijeni për një ngjarje të tillë dhe kërkojnë përgjegjësit për shkelje të masave.

“Si shtab komunal kërkojmë nga shtabi qendror që të gjenden përgjegjësit e shkeljeve të tilla dhe të merren masat e nevojshme si dhe të vazhdohet me masat lehtësuese.”,- theksuan nga komuna e Strugës.

Struganët: Ligji të vlejë për të gjithë

Struganët janë shqetësuar nga ajo që ndodhi në këtë qytet dhe kërkojnë që ligji të jetë i njëjtë për të gjithë.

“Ato çfarë feste që kanë nuk pyesin asnjë, i bëjnë, grumbullohen si u do qejfi, ata mendojnë se ky shtet është veç i atyre, për ne nuk ka asgjë. Po të ishim ne, ata do të kishin mbushur plot burgun me njerëz.”,- tha një qytetar i Strugës.

“Mbase jam vetë fetar edhe e praktikoj fenë dhe e përmbaj çdo fe, mirëpo ajo gjë që ndodhi mbrëmë është herën e parë turp për shtetin, po edhe për qytetin tonë, se edhe unë dua në xhami të falem në xhuma, mirëpo nuk lejon rasti, prandaj për kështu gjëra duhet të merren masa pa dallim se kujt i ndodh.”,- u shpreh një qytetar.

“Këta na fusin ne në karantinë, japin ligje, policia duhet të mbajë rend, edhe policia merr pjesë aty. Mbas kësaj nuk duhet të ketë edhe orë policore më.”,- theksoi një qytetar.

Ndërkohë, ka disa ditë që në Strugë nuk ka të infektuar të rinj me Covid-19, megjithatë autoritetet apelojnë që të respektohen masat dhe të mbahet distanca e rekomanduar. (TVM2)

Desk
By Desk May 8, 2020 19:44