LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët mund të marrin pjesë me lista të përbashkëta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Nënkryetar i LSDM-së Fatmir Bytyqi mbrmë në Programin 200 në Alsat tha se nuk përjashtohet mundësia për një koalicion parazgjedhor mes këtyre partive që do të jenë pjesë e Frontit proevropian.
“Ne jemi të sigurt se do të udhëheqim një koalicion që është në frymën evropiane. Nëse ajo do të rezultojë të jetë koalicion më të gjerë më lista të përbashkëta apo lista të veçanta, por në të njëjtën frymë për rrugën evropiane nuk e di, do të jenë qëndrime të organeve të partisë. Por duhet të bëhet një distinkcion i pastër mes atyre që janë pro rrugës evropiane dhe atyre që na shpien prapa dhe janë pro rrugëve të tjera joevropiane…pra do të shkojmë si një bllok me lista të përbashkëta ose me lista të veçantë por si një bllok”, deklaroi zv/kryeministri dhe nënkryetar i LSDM-së Fatmir Bytyqi.
Gazetari njëherit njohës i mirë i rrethanave politike në vend, Destan Jonuzi shprehet i rezervuar rreth kësaj ideje, duke shtuar që shumë pak janë gjasat që një gjë e tillë të ndodhë.
“Një koalicion trepalësh midis LSDM-së, BDI-së dhe ASH-së shumë pak janë gjasat që të ndodhë. Në anën tjetër një koalicion mes BDI-së, ASH-së, po edhe PDSH-së është i mundur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kurdo që mbahen ato, të parakohshme ose te rregullta. LSDM kësaj here nuk e ka luksin që të futet ne një koalicion të përzier etnik dhe ideologjik, për shkak se te blloku politik maqedonas ballafaqohet me kundërshtar skajshmërisht konservatorë dhe djathtiste, te cilët sipas matjeve të opinionit publik gëzojnë mbështetje të konsiderueshme te elektorati maqedonas”, i pyetur nga Flaka, përgjigjet Jonuzi.
Sipas tij, nëse LSDM do të futet në një garë bashkë me partitë shqiptare, atëherë ky do të ishte një veprim i gabuar që do ti kushtonte me humbjen e “betejës” elektorale dhe pushtetit.
“Edhe përkundër kësaj ndajë mendimin se në zgjedhjet e ardhshme mund edhe të ketë koalicione të mundshme politike ndër-etnike. Përveç ASH-së dhe PDSH-së, “Frontit për Europë” të Ali Ahmetit, mund t’i bashkëngjiten edhe Partia Liberal Demokratike e Monika Zajkoves, e cila angazhohet për vlera qytetare, PRSD-ja e cila angazhohet per “shtet për të gjithë”, por edhe organizata civile që angazhohen për vlerat e Bashkimit Evropian. Pra, nëse LSDM nuk garon vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare përballë VMRO DPMNE-së vetëm se do të ia shton numrin e votave për plus 5 përqind opozitës, nëse garon vetëm përsëri me votat e BDI-së mund të llogarisë për një qeverisje katër vjeçare”, shton Jonuzi.
Në historinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, një koalicion i tillë parazgjedhor ka ndodhur në vitin 2020 kur Lëvizja Besa e Bilall Kasamit hyri në garën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare me partinë e njejtë që aso kohe drejtohej nga Zoran Zaev. Driton Zenku / Flaka
Lexo edhe:
Bytyqi: LSDM-ja, e gatshme për zgjidhjen e statusit të ish UÇK-së