LSDM: Nuk bëhet fjalë për dorëheqjen formale të Zaevit, por për atë të paralajmëruar më 31 tetor

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Nëntor, 2021 20:37

LSDM: Nuk bëhet fjalë për dorëheqjen formale të Zaevit, por për atë të paralajmëruar më 31 tetor

Kryeministri dhe kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev në konferencë shtypi më 31 tetor paralajmëroi dorëheqjet prej dy funksioneve. Formalisht, Zaevi akoma nuk ka shtruar dorëheqje nga funksionet, konfirmojnë edhe nga Kuvendi edhe nga LSDM. Nga partia në pushtet theksojnë se në takimin e sotëm të udhëheqësisë së partisë janë përcaktuar hapat e ardhshëm të partisë që do të efektuojnë nga java e ardhshme.

“Nuk bëhet fjalë për dorëheqje formale të kryetarit Zoran Zaev por për dorëheqjen të cilën e paralajmëroi ai më 31 tetor në konferencë për shtyp në LSDM”, sqarojnë për MIA-n nga partia në pushtet.

LSDM sot në kumtesë theksoi se në pajtim me dispozitat statutore, me dorëheqjen e Zaevit në vendin e liderit të partisë, në dorëheqje është edhe e gjithë udhëheqësia e LSDM-së.

Së bashku me kryetarin Zoran Zaev, udhëheqësia e partisë është duke punuar në zgjidhje dhe vendime me të cilat LSDM është riorganizuar me qëllimin e vetëm të vazhdojë t’i shërbejë popullit të tij në nivelin më të lartë të mundshëm dhe gjithsesi të jetë parti kryesore në shumicën parlamentare që e ruan kursin reformues dhe progresiv të vendit, qëndron në kumtesë.

“Në takimin e sotëm të udhëheqësisë janë përcaktuar hapat e ardhshëm të partisë të cilat javën e ardhshme do të efektuohen, për çka opinioni, qytetarët, do të informohen”, theksuan nga LSDM-ja. Zaev në takim ka informuar për konsultimet dhe bisedimet me partnerët e koalicionit.

Në kumtesën e njëjtë thuhet edhe se LSDM është duke biseduar me të gjitha partitë e partnerëve të koalicionit, të cilat, thuhet, konfirmuan se shumica në Kuvend është stabile.

Në ndërkohë sot në profilet e veta në Fejsbuk dorëheqjet e veta i publikuan Goran Sugarevski, kryetar dhe anëtar i Këshillit mbikëqyrës të LSDM-së dhe Milla Carovska, nënkryetare e partisë dhe ministre e Arsimit.

Në publikimin e saj Carovska theksoi se me dorëheqjen e kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev ndalon edhe mandati i të gjithë udhëheqësisë. Shpreh falënderim për besimin e dhënë dhe mundësinë që të jepet kontribut në ndërtimin e shoqërisë për të gjithë dhe thekson se ngelet tërësisht e përkushtuar në luftën për vlera socialdemokrate.

“Për dy vite e gjysmë, së bashku me kryesinë e partisë, kemi punuar, jemi përkushtuar për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave që kanë të bëjnë me përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe statusit ndërkombëtar të vendit. Me dorëheqjen e kryetarit Zoran Zaev, ndërpritet edhe mandati i gjithë lidershipit. E falënderoj për besimin e treguar dhe mundësinë të kontribuoj në ndërtimin e shoqërisë për të gjithë. Mbetem tërësisht e përkushtuar në luftën për vlerat socialdemokrate”, shënoi Carovska në Fejsbuk.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Nëntor, 2021 20:37
  • Ndiqeni faqen tonë në Facebook për lajmet më të fundit dhe për prodhimet tona më të reja multimediale.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Instagram me përmbajtje të veçantë dhe informuese – fotogaleri, video dhe infografika.
  • Abonohuni në kanalin tonë në Youtube për videove ekskluzive nga të katër anët e globit.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Twwiter për t’u informuar vazhdimisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe në botë.