Shkruan: Driton ZENKU
Njoftimi i ambasadores së SHBA-së, Angella Ageler për një ekip amerikan që ka zbarkuar në Shkup për të zbardhur korrupsionin e ish funksionarëve dhe atyre në detyrë, ka ngjalur një fije shprese në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut.
Thirrjet e politikanëve për veting në sistemit gjyqësor për gjykatësit dhe prokurorët dhe goja mbushur e tyre për të luftuar korrupsionin, duket që po kanalizohen nga faktori i jashtëm.
Vonesat e krijuara dhe mospasja e vullnetit për të trazuar botën e krimit dhe korrupsionit në vend, imponuan ndërhyrjen e ambasadës së SHBA-ve, dhe ky është një lajm i mirë për opinionit publik dhe s’do mend se një ogur i keq për “gladiatorët” e pasurisë publike në këto tri dekada pluralizëm.
Por, si paralajmërimi për veting në gjyqësor ashtu edhe paralajmërimi për të zbardhur korrupsionin e ish funksionarëve dhe funksionarëve aktual, duken një hartë gjysmake dhe jo gjithëpërfshirëse, në kohën kur sekret publik është fakti që korrupsioni është i pranishëm gjithandej institucioneve shtetërore e publike.
Shpallja e luftës për një pushtet dhe anashkalimi i pushteteve të tjera, paraqet një mision të pakompeltuar, edhe pse, çdo iniciativë qoftë edhe parciale është e mirëseardhur dhe tejet e domososhme.
Sipas kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pushteti shtetëror ndahet në pushtet ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pra kemi tre pushtete shtetërore. Në vendet demokratike, rrjedhimisht edhe në vendin tonë, në aspetin e fuqisë së ndikimit, mediat paraqiten si pushtet i katërt.
E nëse pyetemi se përse mediat llogariten si pushteti i katër, është diçka e njohur. Forca e ndikimit të tyre në mendjen e njeriut dhe krijimin e opinionit publik është shumë e madhe. Tre pushtetet e para, pra legjislativi, gjyqësori dhe ekzekutivi janë të pajisura me fuqitë e caktuara. Ata kanë fuqinë e ligjit. Mediat dominojnë mendjet njerëzore që nuk janë më pak të rëndësishme. Fuqia e pushtetit të tyre është aq e madhe se ajo mund të programohen për mendimet e disa kombe apo kumniteteve të tëra.
Nisur nga ky fakt, por edhe faktet dhe dyshimet e ngritura në opinion për tri dekada me radhë që edhe në media korrupsioni është i fuqishëm, lufta anti-korrupsion, pa asnjë dyshim duhet të përfshijë edhe drejtuesit e mediave. Është sekret publik që drejtus të mediave janë të përfshirë në mitëmarrje, korrupsion dhe abuzime të ndryshme financiare duke shfrytëzuar mediat për presion ndaj pushteteve. Drejtuesit e mediumeve, gjithmonë me përjashtime, shpeshherë paraqiten si gjeneratorë të abuzimeve. Prokurime publike, tjetërsim të pronës publike, aksione në shoqëri të ndryshme aksionare përmes firmave të ndryshme prapa të cilave qëndrojnë patronët e mediave, tashmë nuk paraqesin një sekret në Maqedoninë e Veriut.
Lënë anësh nuk guxojnë të jenë as prijësit e institucioneve fetare, institucione që në funksionimin e tyre përfitojnë nga buxheti i shtetit por kryesisht nga të ardhurat e arkëtuara nga ana e besimtarëve. Shpeshherë në opinion kanë shpërthyer skandale për keqpërdorime financiare në këto instutucione, prandaj “skaneri” anti- korrupsion nuk guxon të lë anësh as institucionet fetare.
Është një listë e gjatë me mbajtësit e pozicioneve drejtuese të institucioneve, mediave, organizatave jo qeveritare, që duhet të kalojnë nga ky skaner. Çdo përjashtim, do të linte të gjallë korrupsionin në Maqedoninë e Veriut.
Për të ç’rrënjosur krimin, korrupsionin, zhvatjen dhe keqpërdorimet e tjera financiare, duhet të zhvillohet një betejë e madhe në të gjitha drejtimet. Zero korrupsion as që mund të pretendohet, por edhe në nivele të tilla siç ndodhet Maqedonia e Veriut, situata bëhet e shpërthyese.
Nuk ka një listë me shtete të botës me zero korrupsion. Me nivelin më të ulët llogariten Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re. Me keq paraqiten Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut. Ne nuk pretendojmë të jemi Danimarka, mirëpo jo edhe Somalia.