Lufta e Vitit 2001, ndryshimi i emrit dhe flamurit, kompromise për mbijetesë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 8 Shtator, 2020 10:38

Lufta e Vitit 2001, ndryshimi i emrit dhe flamurit, kompromise për mbijetesë

Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 29-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli shtetin të pavarur dhe sovran.

Flamuri i vjetër i shtetit

Flamuri i vjetër i shtetit

Por në perspektivë, Maqedonisë iu desht të bëjë kompromise ekzistenciale për të arritur deri këtu, të bëhet anëtare e NATO-s dhe pretenduese për inkuadrim në Bashkimin Evropian – BE, shkruan Agjencia e Lajmeve Flaka në editorialin për 29-vjetorin e pavarësisë së shtetit. 

Lufta e vitit 2001

Lufta e vitit 2001

Sfidë për shtetin ishte edhe lufta e vitit 2001. Lufta në Republikën e Maqedonisë ishte një konflikt i armatosur ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe Ushtrisë Maqedonase (ARM) i cili filloi më 22 janar të vitit 2001 dhe përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit më 12 nëntor 2001.

Marrëveshja u arrit asistimin e bashkësisë ndërkombëtare, pas luftimeve të cilat ndodhën në vitin 2001 dhe mes tjerash ka për qëllim të promovimit të zhvillimit të qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Marrëveshja e Ohrit

Marrëveshja e Ohrit

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit  gjatë këtyre viteve janë miratuar më shumë se 130 Ligje, ndryshime ligjore , shumica prej të cilëve,  janë për mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë, ndërsa rreth 40 Ligje janë nga fusha e identitetit, kulturës arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Për zbatimin e suksesshëm të MO-së, ishte krijuar Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si pjesë e Qeverisë, institucion ky që tashmë është shuar dhe është shndërruar në Ministri  për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Fillimisht, njohja ndërkombëtare e pavarësisë në vitin 2001 është kundërshtuar nga Greqia për shkak të flamurit dhe emrit “Maqedoni” (të konsideruara si simbole të grekëve).

Marrëdhëniet me shtetit fqinj përfundimisht u normalizuan në vitin 1995 me ndryshimin e flamurit por problemet me emrin e shtetit u trashëguan deri në vitin 2018 kur emri i shtetit u ndryshua dhe u emërua si Maqedonia e Veriut. 

Marrëveshja e Prespës

Marrëveshja e Prespës

Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me Greqinë ishte arritur më 17 qershor 2018, sipas së cilës vendi emërtohet si Republika e Maqedonisë së Veriut, shkruan Agjencia e lajmeve Flaka 

Me datë 11 janar 2019, parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet kushtetuese që i dhanë vendit një emër të ri, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve 27 vjeçare me Greqinë, e cila ka rajonin e vet të quajtur Maqedoni.

Ndryshimi që erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Prespës, ishte një hap vendimtar në rrugën e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, që ishte bllokuar nga Greqia për shkak të çështjes së emrit.

Kujtojmë që në vitin 1991, referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina…

Denari i vjetër

Denari i vjetër

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, për shkak të emrit, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Republika e Maqedonisë së Veriut deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë – Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.FLAKA

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 8 Shtator, 2020 10:38