Lufta kundër korrupsionit, KShPK “shoshit” keqpërdorimet e buxhetit

Desk
By Desk May 22, 2019 19:25

Lufta kundër korrupsionit, KShPK “shoshit” keqpërdorimet e buxhetit

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të shqyrtojë se si janë harxhuar paratë e buxhetit jo vetëm në Kuvend, por në të gjitha institucionet e shtetit.

Si janë harxhuar paratë e parapara si kompensim për shpenzimet për udhëtim, si janë shfrytëzuar paratë e parapara për reprezentacion dhe si janë marrë vendimet për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare? Do të shoshiten edhe vendimet për benificionet që u jepen zyrtarëve që jetojnë të ndarë nga familja, por edhe mënyra se si ish presidentët e republikës huazojnë ambiente me qira për të hapur zyrën e ish presidentit. Në shënjestër janë ish presidentët, Ivanov e Cërvenkovski.

“Si bëhet zgjedhja e zyrave të tilla? A ka ose jo shërbimi për çështje të përgjithshme të ofrojë hapësira shtetërore? Nëse nuk ka, atëherë si bëhet zgjedhja e atyre hapësirave? Kjo vlen për të gjithë ish kryetarët”,- deklaroi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.

Procedurë për kundërvajtje për shumë zyrtarë të cilët nuk kanë dorëzuar fletën anketuese dhe atë të interesit, kryesisht dekanë fakultetesh. Padi për kundërvajtje edhe për drejtoreshën e Klinikës për Hematologji, Irina Panovska Stavridis. Në katër mandate nuk ka dorëzuar fletën anketuese për gjendjen pronësore.

“Është emëruar katër herë, dhe sipas evidencës sonë, i bie që më 15 maj ka dorëzuar fletë-anketat për katër emërimet njëkohësisht. Kështu që konstatohet se nuk janë dorëzuar në afat dhe propozoj të ngrihet procedurë për kundërvajtje”,- theksoi anëtari i KShPK-së, Shemshi Sallai.

Në mungesë të kushteve teknike, Komisioni Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit vazhdon të mbajë seancat vetëm në gjuhën maqedonase. Përgjegjësinë ia hedhin institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit.

“Hapni debat të trajtoni tema se deri ku ka arritur implementimi i Ligjit për gjuhët për arsye se ne kemi problem të sigurojmë përkthyes, të cilët në të ardhmen duhet të jenë të punësuar në kuadër të Sekretariatit të Komisionit për Pengimin e Korrupsionit”,- u shpreh anëtari i KShPK-së, Nuri Bajrami.

KShPK hapi procedura të reja edhe për furnizime publike të dyshimta, tendere dhe raste të dyshimta për korrupsion dhe nepotizëm në gjykata.

Desk
By Desk May 22, 2019 19:25