Lufta me koronavirusin në Itali, Conte dhe Papa takim ‘top secret’

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 30, 2020 20:00

Lufta me koronavirusin në Itali, Conte dhe Papa takim ‘top secret’

Një takim “top secret” është zhvilluar gjatë paradites së sotme në Vatikan mes Papa Franceskut e kryeministrit italian Giuseppe Conte.

Deri tani nuk ka asnjë detaj për këtë takim të pazakontë, i cili është informuar me një komunikim nga zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë.

Takimi është zhvilluar kokë më kokë dhe supozohet se motivi i tij është kriza e rëndë shëndetësore, sociale e ekonomike që ka përfshirë Italinë.

 

“Nuk dihet përmbajtja e bisedës mes Papa Franceskut e kreut të qeverisë italiane Giuseppe Conte”, thuhet në median zyrtare të selisë së Shenjtë , Vatikan News, por dihet se sa në zemër e ka Papa Francesku situatën e vështirë ku ndodhet Italia.

 

Mendohet se Selia e Shenjtë i ka ofruar ndihmë Italisë në një moment kaq dramatik dhe Ati i Shenjtë i ka shprehur shtetit italian afërsinë e tij ndaj popullsisë që po vuan nga numri i lartë i të sëmurëve, ndaj familjeve që kanë humbur të afërmit dhe ndaj të gjithëve që janë në vështirësi serioze ekonomike.

Gjatë meshave të tij Papa Franceku ka mbrojtur punën e qeveritarëve që janë të detyruar të marrin dhe masa drastike, ekzemplare e jo popullore, por për një të mirë të përbashkët.

Sipas Selisë së Shenjtë, gjatë ditëve të fundit Papa Francesku është takuar dhe me drejtuesit e Dikasterit të Zhvillimit human në Vatikan, për të reflektuar mbi të sotmen e të nesërmen e njerëzimit pas pandemisë ku janë nënvizuar disa konsekuenca që priten të përballohen si “uria, varfëria, fajdet e dhuna e kriminelëve jo humanë.”

Pak ditë më parë Papa Francesku në një meshë të jashtëzakonshme  mbi pandeminë e Ccvid-19 që ka goditur globin tha: “Koronavirusi  e çoi humanizmin i cili deri tani ishte i sigurt për fuqinë e tij, të kërkoj ndihmë për shpëtimin e tij. Kemi ecur përpara duke u ndjerë të fortë e të aftë në gjithçka. Lakmitarë në fitim, e lamë veten të mbytemi nga gjëra e të nxitojmë nga hutimi. E tani që jemi në një det të hapur të përgjërohemi ; ZGJOHU O ZOT! /Alba Kepi/

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 30, 2020 20:00