Luftime në lindje të Ukrainës, humbën jetën dhjetëra civilë dhe disa u plagosën

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Qershor, 2022 20:14

Luftime në lindje të Ukrainës, humbën jetën dhjetëra civilë dhe disa u plagosën

Betejat e ashpra kanë vazhduar në pjesën lindore të Ukrainës. Të paktën tre persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në granatimet e artilerisë ruse në Kharkiv, dy të vrarë një sulm raketor në Bastanka. Sulmet kanë goditur të paktën dy spitale në Severodonetsk dhe Rubizhne. Lisicansku është kthyer i gjithi në gërmadha. Shumica e banorëve po evakuohen, por ka edhe nga ata që kanë zgjedhur të qëndrojnë në mes të flakëve të luftës.

“Nuk jam mirë me shëndet nuk e di nëse mundem ta përballoj rrugën e gjatë, por duhet të largohem, ka të shtëna.”,- tha një qytetare.

“Është rrëzuar ballkoni, krejt shtëpia është shkatërruar. Nuk kam ku të qëndroj.”,- theksoi një qytetare.

“Pse nuk jemi evakuuar deri tani?”,- u shpreh një qytetare.

“Nipat dhe mbesat e mi ishin këtu, si mund t’i lë ata dhe unë të iki? Unë do të qëndroj.”,- tha një qytetar.

Bisedime mes Rusisë dhe Turqisë, kërkohet të lirohen portet për eksportin e grurit

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizë ushqimore globale. Italia gjatë takimit në OKB, paralajmëroi se miliona njerëz mund të vdesin nga uria nëse Rusia nuk çliron portet e Ukrainës në Detin e Zi.

“Bllokimi i eksporteve të drithërave do të thotë të mbash peng dhe të dënosh me vdekje miliona fëmijë, gra dhe burra. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare, për gjendjen në botë.”,- deklaroi ministri i jashtëm, Luigi Di Maio.

Turqia përpiqet të bindë Rusinë për çeljen e një korridori që të lejojë dërgesat e grurit ukrainas, të bllokuar në portet e vendit.

“Për të zgjidhur problemin, e vetmja gjë që nevojitet është që ukrainasit të lejojnë anijet të dalin nga portet e tyre, ose duke i çminuar si dhe duke shënuar korridore të sigurta, asgjë më shumë nuk kërkohet.”,- tha ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Bisedimet vijnë në kohën kur dhe vetë Turqia përballet me presionin të hapë Detin e Zi për anijet e NATO-s për të thyer bllokadën e Rusisë ndaj Ukrainës. Ankaraja është më se e ndërgjegjshme për dëshirën e Moskës që Turqia ta mbajë Bosforin të mbyllur për anijet e NATO-s, gjë që i jep Turqisë një epërsi të fuqishme në bisedimet me Rusinë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Qershor, 2022 20:14