Makraduli: RMV më shumë eksporton se importon mbeturina

Makraduli: RMV më shumë eksporton se importon mbeturina

Vendi më shumë eksporton se sa importon mbeturina, deklaron zëvendësministri i mjedisit jetësor, Jani Makraduli.

“RMV më shumë eksporton se sa importon mbeturina dhe është shumë e rëndësishme të dihet. Republika e Maqedonisë së Veriut është pjesë e një sistemi të quajtur Konventa e Bazelit, ratifikime ndërkombëtare. Ne jemi nënshkrues të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ne jemi duke harmonizuar legjislacionin dhe nuk mund të jemi jashtë standardeve evropiane. Atë që duhet ta bëjmë është patjetër ta kthejmë besimin te institucionet.”,- deklaroi zëvendësministri i mjedisit jetësor, Jani Makraduli.

Shilegov: Nuk importohen mbeturina për t’u deponuar

Ndërsa kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, thotë se mbeturinat e importuara nuk kanë përfunduar në “Drislla”.

“Në shtetin tonë nuk janë importuar mbeturina për t’u deponuar. Kjo do të thotë që mbetjet e importuara nuk kanë përfunduar në “Drislla”. Kur flasim për mbeturina duhet të dimë se mbeturinat komunale të qytetit të Shkupit deponohen në “Drislla”, por jo edhe mbeturina të importuara.”,- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Popovska: Funksionarët e shtetit bëjnë biznes me mbeturinat

Por, deputetja e Partisë së Gjelbër, Liljana Popovska, ka deklaruar se shtyrja e votimit të Ligjit për Menaxhim me Mbeturina për javën e ardhshme është bërë në interes të atyre që bëjnë biznes me mbeturinat.

“Sipas Konventës së Bazelit, shteti ka nënshkruar se lejohet hyrje e mbeturinave jo të rrezikshme dhe eksport në drejtim të kundërt, por mendoj se ne nuk kemi obligim, pasi nuk jemi anëtare e BE-së dhe nuk kemi obligime të tilla që t’i aplikojmë rregullat evropiane të sjelljes. Çdo shtet duhet të mbajë llogari për interesin e vet, ndërsa interesi ynë është të kemi popullatë të shëndetshme.”,- theksoi deputetja e Partisë së Gjelbër, Liljana Popovska.

Nga Ministria e Ambientit bëjnë të ditur se sasia më e madhe e mbeturinave u importua në vitin 2015 dhe 2016. (TVM2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 24 Janar, 2020 19:13

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.