Mali i Zi dhe Kroacia në flakë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 12:48

Mali i Zi dhe Kroacia në flakë

Moti i nxehtë dhe thatësira janë bërë shkak i shpërthimit të zjarreve masive në mbarë Ballkanin Perëndimor. Pamjet dramatike të djegies së shtëpive e pyjeve vijnë nga Kroacia dhe Mali i Zi.

Në Kroaci, një zjarr i madh përfshiu rajonin e Dalmacisë në zonën mes Vodice dhe Shibenikut në autostradën e Adriatikut në Jadrija, Srima në Dubravë në drejtim të zonës industriale Podi.

Nga ky zjarr janë shkrumbuar të paktën 10 banesa pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikseve nga ajri e toka.

Autoritetet shëndetësore kroate raportojnë për një numër në rritje të pacientëve me simptoma që lidhen me të temperaturat e larta dhe tymin që ka hyrë nëpër banesa. Zjarre të përmasave të mëdha kanë shpërthyer edhe në kufirin kroat me Malin e Zi. Vendkalimi kufitar Vitaljina në Herceg Novi është i mbyllur dhe zjarrfikësit janë në terren.

Era fryn vazhdimisht, gjë që vështirëson shuarjen e zjarrit. Në ndihmë të zjarrfikësve malazezë kanë ardhur avionë dhe helikopterë nga Kroacia fqinje edhe pse ata po përballen po ashtu me flakët.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 12:48