Manastir, Grubi hap Ditët e Alfabetit

Desk
By Desk November 14, 2020 17:46

Manastir, Grubi hap Ditët e Alfabetit

Zëvendësi i parë i kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së
Veriut,  Artan Grubi  sot ka hapur manifestimin “Ditët e Alfabetit” në
organizim te Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të
Shqiptarëve (ITKSHSH).

Në fjalimin e tij zëvendëskryeministri i parë Grubi theksoi se 22
nëntorit është një nga tre shtyllat e krijimit të kodit identitar
shqiptar.

“Ju përgëzoj për krijimin e një tradite të re te shqiptarët e Maqedonisë
së Veriut nëpërmjet zhvillimit të manifestimit ‘Ditët e Alfabetit’, tash
e dyta me radhë me mbështetje institucionale, por nuk është vetëm e dyta
në kohë zgjatje në periudhën kohore. Shqiptarët në Republikën e
Maqedonisë së Veriut e konsiderojnë 22 nëntorin’ si një prej tre
shtyllave të krijimit të kodit identitar shqiptarë duke filluar nga 10
qershori i vitit 1878 Lidhja e Prizrenit, me shpalljen e Pavarësisë më
28 nëntor 1912 dhe paraprakisht me Kongresin e Manastirit në vitin 1908,
si tre nga shtyllat e historisë sonë moderne që fatmirësisht janë
zhvilluar në tre trojet ku sot ne shqiptarët jetojmë, në Kosovë,
Maqedoni dhe Shqipëri. Më vjen mirë që manifestimi  ‘Ditët e Alfabetit’
nga ITKSHSH si një prej kontribuuesve në zhvillimin aktiviteteve për
shënuar  22 nëntorit këtë vit i dedikohet kontributit te femrës
shqiptare, në veçanti që ta iluminojmë faktin e kontributit të femrës
shqiptare krahas rolit tradicional të cilën e percepton kultura jonë
patriarkale si një grua iluministe që ka thënë kontributin e saj në
zhvillimin kulturor e edukativ të shqiptarëve, jo vetëm në Maqedoninë e
Veriut. Ju  përgëzoj për tematikën e sivjetmë dhe ju urojë që vetëm të
vazhdojmë të ndriçojmë rolin kyç të gruas shqiptare në shtet ndërtimin
dhe historinë shqiptare”, tha Grubi.

Ai më tej u shpreh se Festa e 22 nëntorit datë është shumë e rëndësishme
për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe kjo datë shënohet në mënyrë
institucionale.

“Data e 22 nëntorit është festë për gjithë komunitetin shqiptar. Me 22
nëntor është themeluar ky Institut dhe tashmë ndahet edhe çmimi
shtetëror 22 nëntori për të shënuar këtë datë të madhe për gjithë
shqiptarët”, nënvizoi zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.

Në këtë ngjarje ku filluan manifestimet për  të shënuar 22 nëntorin
Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe mori pjesë drejtori i ITKSHSH Skender
Hasani dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në vendin tonë, Gjergj
Dedaj. FLAKA

Desk
By Desk November 14, 2020 17:46