Manifestimi VV në Tiranë, Edi Rama: Lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 12, 2019 20:12

Manifestimi VV në Tiranë, Edi Rama: Lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje

Për herë të parë kryeministri Edi Rama jep vlerësimin e tij për çeljen e një dege të Vetëvendosjes së Albin Kurtit në Tiranë.

Muhamed Veliu TCH-Jam i sigurt zoti kryeministër se ju jeni njohur me lajmin që Vetëvendosja ka hapur një degë të saj edhe në Tiranë. Madje është paralajmëruar dhe një marshim në 28 nëntor me tematikë bashkimin kombëtar. Si e shikoni prezencën e Vetëvendosjes në Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë parafytyroni një moment, jo ju, po ta përfytyrojnë qytetarët e Kosovës që një degë e Partisë Socialiste natyrisht me miratim nga kryesia dhe nga unë të bëjë protestë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe të thotë “nuk është koha për të festuar është koha për të reflektuar” dhe të bëjë një fletë-rrufe që duket sikur është nxjerrë nga printerat e opozitës me qeverinë e Kosovës, çfarë do të mendonin njerëzit në Kosovë? Çfarë do të ishte kjo, në raport me pretendimin për politikë të jashtme të unifikuar dhe për strategji të përbashkët dhe për bashkëpunim?
Megjithatë unë e konsideroj një lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje, në një vakum ku kam qenë dhe vetë dhe e kam shumë mirë parasysh, duhet një farë kohe për të bërë kryeministrin sepse kryeministër zgjidhesh ditën kur të votojnë, por fillon dhe bëhesh jo menjëherë pasi ke hyrë në zyrë.

Muhamed Veliu TCH- Albin Kurti thotë se politika e jashtme e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të jetë e unifikuar. A pajtoheni me këtë qëndrim?

Kryeministri Edi Rama: Ky nuk është qëndrimi i Albin Kurtit. Kjo është një aksiomë që e ka karakterizuar politikën e jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, denbabaden. E unifikuar ka qenë politika e jashtme e Shqipërisë dhe Kosovës dhe nuk e di për çfarë bëhet fjalë, mbase duhet shpjeguar që politika është strategji dhe taktikë. Përshembull, meqë ra fjala më parë për konsultimin apo për unifikimin. Unë nuk jam pyetur dhe s’kisha pse të pyetesha për vendosjen e tarifës 100%. As nuk kam thënë është e pakonsultuar, as nuk kam thënë pse nuk më pyetët mua, por e kam mbështetur fuqimisht. Ama e kam mbështetur si një veprim që duhet të prodhonte rezultat politik dhe jo si një tarifë ekonomike. E kam thënë që ditën e parë, ky është një vendim politik, është një veprim politik, është një qasje brutale për gjithë ata që e shohin si politikë ekonomike, por tërësisht legjitime për atë që është në të vërtetë. Është politikë e jashtme. Ama, kur erdhi puna që tarifa u kthye në mjet të politikës së brendshme, e rrethoi Kosovën me zhgënjim dhe deri me mospërfillje nga partnerët strategjikë të Kosovës dhe nuk u përdor si një mekanizëm, kur i erdhi momenti të përdorej si mekanizëm, për të hequr vizat për Kosovën. Atëherë pa diskutim që kjo u kthye nga një vënie e pasqyrës përpara botës për një shqetësim të madh të Kosovës, në një litar në këmbët e Kosovës.

Top Channel

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 12, 2019 20:12