Maqedonia e Veriut merr sot kryesimin njëvjeçar të OSBE

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Janar, 2023 16:38

Maqedonia e Veriut merr sot kryesimin njëvjeçar të OSBE

Maqedonia e Veriut merr sot kryesimin njëvjeçar të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nga Polonia, ndërsa detyrat e kryesuesit do t’i kryejë shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.

Osmani tha se Maqedonia e Veriut si kryesuese do të fokusohet në ruajtjen e parimeve dhe obligimeve të OSBE-së dhe se një nga prioritetet e para do të jetë mbështetja për Ukrainën.

Duke i prezantuar prioritetet e tij të kryesimit në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Osmani tha në shtator se në një kohë kur OSBE-ja është nën prova serioze, është thelbësore të rindërtohet besimi reciprok dhe të tregohet vullnet politik për dialog për çështjet e përbashkëta të sigurisë.

Në takimin ministror të OSBE-së në Lodz në dhjetor, Osmani veçoi mbështetjen për Ukrainën si një nga prioritetet kryesore gjatë presidencës së Maqedonisë së Veriut.

Punësimi në Ukrainë

“Përpjekjet tona do të përqendrohen në sigurimin e pranisë dhe angazhimit të vazhdueshëm të OSBE-së në Ukrainë, duke ofruar mbështetje programore në të tre dimensionet përmes Programit të sapokrijuar të Mbështetjes së Ukrainës, si dhe dërgimin e një përfaqësuesi special të Kryesisë së OSBE-së për raportim politik”, ka thënë Osmani.

Ai shprehu gatishmërinë e tij për të vënë në funksion të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat e OSBE-së si kryetar, me synimin për të ndihmuar popullatën e prekur të Ukrainës në përballimin e sfidave që dalin nga kriza energjetike dhe ushqimore.

Vlen për t’u theksuar se Bujar Osmani është i dyti shqiptar në krye të OSBE-së brenda tre viteve, pas Edi Ramës si kryesues para tre viteve, ku iu desh të udhëtonte drejt zonave të atëhershme të luftës në Ukrainë, duke u takuar dhe me kryediplomatin rus Sergey Lavrov.

OSBE, e cila është me seli në Vjenë, u themelua në vitin 1973 dhe është organizata më e madhe ndërqeveritare e sigurisë në botë me 57 vende anëtare dhe 11 vende partnere. Maqedonia e Veriut kryeson atë organizatë për herë të parë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Janar, 2023 16:38

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare