Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave të pronave të funksionarëve publikë

Ministrja serbe e Drejtësisë, Maja Popoviq, ministri malazez i Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq dhe kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, Biljana Ivanovska nënshkruan sot në Beograd marrëveshje ndërkombëtare për shkëmbimin e të dhënave për pronën e zyrtarëve apo funksionarëve publikë, të përgatitur në kuadrin e Nismës Rajonale të Antikorrupsionit.
Kjo është marrëveshja e parë e tillë në rajon. Pas ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje në shtetet nënshkruese, autoritetet kompetente të një shteti, me kërkesë të një shteti tjetër, do të japin informacion mbi pasurinë e mundshme ose aktivitetet e biznesit të zyrtarëve publikë të dyshuar për kryerjen e një krimi ose të çdo lloj korrupsioni.
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, kryetarja i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare hap një mundësi të re për të kontrolluar të dhënat mbi pronën dhe interesat e zyrtarëve jashtë vendit të tyre të lindjes, dhe se ky është hapi i parë drejt zbulimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme që transferohet ose blihet jashtë vendit.
Në praktikë, për shembull, Komisioni për Luftën Kundër Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, i cili shqyrton një nëpunës publik, do të jetë në gjendje të kërkojë informacion direkt nga kolegët në Serbi dhe në Malin e Zi në lidhje me pronën e këtij nëpunësi publik – nëse ai zotëron një punë, biznes, pronë dhe më pas agjencia kompetente në Serbi ose Mal të Zi do t’ia paraqesë këtë informacion komisionit në Maqedoninë e Veriut.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një nga përparësitë në punën e Qeverisë së Republikës së Serbisë”, tha ministri Popoviq me këtë rast.