Maqedonia me pensionistët më të varfër 

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 7 Dhjetor, 2022 21:16

Maqedonia me pensionistët më të varfër 

T&S

Duke përjashtuar Shqipërinë si vendi me shumën qesharake të pensionit, Maqedonia bën pjesë në grupin me pensione të ulëta. Dallimin në rajon e bëjnë Mali i Zi, Kroacia e Sllovenia, ku një pension mesatar arrin deri në 500 euro e më shumë. Pensionistët në këto vende kanë përfituar më shumë nga harmonizimet e fundit të pensioneve, por edhe ato që janë paralajmëruar në fillim të vitit të ardhshëm

Me rritjen më të fundit të muajit shtator prej 6,8 për qind nga Fondi i sigurimit pensional, Maqedonia e Veriut është ende larg prej disa vendeve të rajonit ku shuma e pensionit mesatar është shumë më e lartë. Përveç Shqipërisë, Kosovës, apo Bosnjë dhe Hercegovinës, pensionistët që kanë përfituar më shumë nga harmonizimet e fundit të pensioneve janë ata në Mal të Zi. Pensione shumë më të larta përfitojnë pensionistët në Kroaci e Slloveni. Shuma e pensionit mesatar në Mal të Zi është më e larta nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për muajin tetor ishte 359 euro, ndërsa pritet që  pensionet në Mal të Zi do të vazhdojnë të rriten edhe në muajt në vijim dhe rritja e parë e ndjeshme do të jetë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, ku me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore pensioni minimal të jetë 270 euro. Rritja e muajve të kaluar në Maqedoni (17 euro) e çoi pensionin mesatar në 283 euro.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) njoftoi se me pensionin e shtatorit, rreth 330 mijë pensionistë në vend do të marrin pensione më të larta për 6.8 për qind. Të dhënat e Fondit për sigurim pensional po ashtu tregojnë se pensioni më i ulët në vend ishtë 10.276 denarë (atë shumë e marrin 2.960 pensionistë). Pensionet më të paguara janë 60.294 denarë dhe i përfitojnë 47 pensionistë. Për ta, rritja e pensioneve do të thotë 4.099 denarë shtesë. Këto rritje bënë që pensioni mesatar nga 16.348 denarë të shkojë në 17.422 denarë. Vendet e tjera, si Maqedonia, Serbia (287 euro) kanë  shuma mesatare mujore thuajse të njëjta për pensionet, ashtu si edhe Bosnja e Hercegovina (pensioni mesatar 272 euro). Dallimin e bën Shqipëria, si një prej vendeve me vlerat më të ulta të pensioneve (130 euro). Ndërsa dy vendet e tjera, Sllovenia dhe Kroacia si anëtarë të BE-së, figurojnë me pensione dukshëm më të lartë se pjesa tjetër e vendeve të rajonit. Pensioni mesatar në Slloveni është 812 euro, pas rritjes në muajin nëntor, kurse në Kroaci pensioni mesatar është 410 euro.

Qeveria e Malit të Zi në fillim të nëntorit prezantoi projekt buxhetin për vitin 2023. Drafti i propozuar parasheh 35 milionë euro për rritjen e pensioneve në vitin e ardhshëm. Megjithatë, fakti që fondet e munguara në buxhet për vitin e ardhshëm parashikohen në nivelin prej 705 milionë eurosh, vërteton se gjendja financiare në Mal të Zi nuk është më e mira. Paga minimale në Mal të Zi është 450 euro. Krahas pensioneve, në Mal të Zi që nga fillimi i vitit është rritur edhe paga minimale, e cila ka ndikuar edhe në rritjen e pagës mesatare në vend. Paga minimale është rritur nga 250 në 450 euro, ndërsa ajo mesatare nga 500 në 718 euro. Buxheti për vitin e ardhshëm parashikon rritje të pagave për pedagogët, punonjësit në administratën publike, zjarrfikësit, policinë dhe punonjësit e mjekësisë. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 7 Dhjetor, 2022 21:16