Mariçiq me standarde të dyfishta – Për rastin “Alfa” thotë se nuk i takon të përzihet në Gjyqësor

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Janar, 2022 19:47

Mariçiq me standarde të dyfishta – Për rastin “Alfa” thotë se nuk i takon të përzihet në Gjyqësor

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq me standarde të dyfishta. Derisa për lirimin e Sasho Mijallkovit nga paraburgimi kërkonte llogari nga gjykatësit për t’i sqaruar opinionit përse u mor vendimi, për rastin ALFA konsideron se nuk mund të përzihet në punën e gjyqësorit, shkruan Alsat.

Mariçiq në mënyrë indirekte pranon se derisa ka dëshmi të reja, siç është ekspertiza ligjore, gjykata duhet të vendos për rigjykim të lëndës.

“Nëse me pyesni për rigjykim eventual të rastit atë e vendos gjykata dhe ne nuk mund të përzihemi në punën e saj. Ky është vlerësim i gjykatës mbi bazën e dëshmive të ofruara ose derisa ka dëshmi të reja të ofruara për këtë rast”, tha Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

Nga Gjykata Penale thonë se për momentin pritet vendimi i Gjykatës së Apelit mbi ankesën e palës mbrojtëse, të dërguar kohë më parë.

Pas përgjigjes nga Gjykata e Shkallës së dytë do të kompletohet dokumentacioni ku më pas do të kërkohet mendim nga Prokuroria Publike dhe Byroja për Ekspertizë Ligjore. Në fund mund të dihet edhe epilogu nëse rasti Alfa në baza të ekspertizës së përgatitur jashtë vendit shkon ose jo në rigjykim.

Vrasja e një polici dhe plagosja e dy të tjerëve ndodhi më 26 nëntor të vitit 2008 në parkingun e Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. Në vitin 2010 gjykata dënoi me burg të përjetshëm Rexhail Qerimin, Agim Islamin dhe Almir Derplaninin, ndërsa për logjistikë me 9 vite burg u dënua Ramadan Shaqiri./ Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Janar, 2022 19:47