Marrëveshja e Prespës, Tsipras: Nuk më frikëson kostoja politike

Desk
By Desk 1 Prill, 2019 19:13

Marrëveshja e Prespës, Tsipras: Nuk më frikëson kostoja politike

Të martën në Shkup qëndron për një vizitë zyrtare kryeministri grek, Aleksis Tsipras. Në një intervistë për Agjencinë telegrafike kombëtare të Maqedonisë së Veriut, në prag të vizitës, ai ka pranuar se nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës ka pasur koston e tij politike, por ka qenë i qartë se nuk është fiksuar nga kjo kosto. Sipas kreut të ekzekutivit grek, Marrëveshja dëshmoi se është e mundur të zgjidhen dallimet ndërkombëtare me respektim të ndërsjellë, duke siguruar interesat e secilës palë pa nënçmuar palën tjetër.

“Ka pasur çmim politik, pasi një pjesë e rëndësishme e popullit grek ka qenë seriozisht shqetësuar për këtë çështje. Përgjegjësia jonë – e imja dhe e Zoranit – ishte të tregojmë se popujt tanë mund vetëm të fitojnë nga rruga që është hapur. Po ashtu, përgjegjësi e jona është t’u përgjigjemi forcave të nacionalizimit që në botën e sotme forcohen dhe synojnë të na kthejnë në kohët e turbullta”,- tha kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras.

Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë partnerë dhe aleatë. Rezultati i Marrëveshjes së Prespës nuk është vetëm zgjidhja e çështjes së emrit dhe zhbllokimi i perspektivës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, por është vendosja e themeleve për raporte të fuqishme dypalëshe që parashohin bashkëpunim në nivel ndërkombëtar, evropian dhe rajonal, ka potencuar ai.

Cipras do të vijë në Shkup i shoqëruar nga 10 ministra dhe me një delegacion biznesi të përbërë nga 70 kompani, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje në më shumë fusha. (TVM2)

Desk
By Desk 1 Prill, 2019 19:13