Marrëveshje Shqipëri-Maqedonia e Veriut për bashkëpunim në fushën e kulturës

Desk
By Desk 3 Prill, 2019 12:02

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ndërsa mes dy vendeve është nënshkruar një marrëveshje në fushën e kulturës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Takimi është realizuar në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Washington, ndërsa në njoftimin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë thuhet se në këtë takim u diskutua mbi përpjekjet me vendet e Bashkimit Evropian (BE) për hapjen e negociatave.

Gjithashtu theksohet se pjesë e takimit ishin edhe diskutimet për bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha me interes të përbashkët dhe të ndërsjellë.

“Në përfundim të takimit ministri në detyrë Cakaj dhe homologu i tij Dimitrov me dëshirën për të dhënë kontribut në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe-kulturore, nënshkruan marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Shqipëri dhe qendrave kulturore dhe informative në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftim.

Nëpërmjet marrëveshjes Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut angazhohen të intensifikojnë marrëdhëniet në fushën e kulturës dhe të promovojnë vlerat në fushën e artit dhe shkencës.

Gjithashtu theksohet se me këtë marrëveshje synohet edhe përgatitja dhe shpërndarja e buletineve informative për ngjarjet dhe eventet e organizuara nga qendrat kulturore dhe informative, duke përfshirë përdorimin e teknologjive bashkëkohore të komunikimit.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka filluar një vizitë në SHBA, ku do të marrë pjesë në Ministerialin e NATO-s.

Desk
By Desk 3 Prill, 2019 12:02