MASH: Studeniçani me sallë të re sportive, investuam pothuajse 24 milionë denarë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 23:06

MASH: Studeniçani me sallë të re sportive, investuam pothuajse 24 milionë denarë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, sot ka vizituar Komunën e Studeniçanit, e cila u bë me sallë të re sportive shkollore në fshatin Moran dhe ku gjithashtu po punohet edhe në shkollën e re fillore në vendbanimin Lubosh.  Dy investimet kapitale janë realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për të cilat nga buxheti i shtetit janë ndarë mbi 70 milionë denarë.

Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri theksoi se gjatë viteve të fundit Studeniçani është urbanizuar dukshëm nga të gjitha aspektet e mundshme, sidomos ato infrastrukturore, për të cilat merita të mëdha ka udhëheqësia e vetëqeverisjes lokale, por edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila udhëheq politikë të trajtimit të barabartë të të gjitha rajoneve dhe komunave, duke investuar kudo sipas prioritetit të nevojave, ndërsa me të vetmin qëllim – përmirësimin e standardit dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Sot Morani po bëhet me sallë të re sportive, objekt bashkëkohorë në kuadër të shkollës fillore “Naim Frashëri”, në të cilin investuam pothuajse 24 milionë denarë. Më të kënaqur do të jenë nxënësit e kësaj shkolle të cilët më në fund nga shtatori do të mund të kryejnë denjësisht orët e arsimit fizik, ashtu siç duhet.

Salla e sportit është e pajisur për disa lloje të sporteve edhe atë – volejboll, hendboll, futboll, basketboll, pingpong, gjimnastikë, ndërsa objekti është tërësisht efikas dhe energjetik dhe i plotëson të gjitha standardet edhe për garat profesionale në sportet që i potencova më lartë” u shpreh Shaqiri.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 23:06