Mbetet pezull konferenca ndërqeveritare me BE-në
Në takimin e kryeministrit me partnerët e koalicionit qeverisës, ishte theksuar se ka shpresë për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me BE-në në dhjetor. Por, analistët vlerësojnë se pozita e qeverisë tani është e rënduar për shkak të ndodhive të brendshme politike, gjegjësisht për shkak të rezultatit në zgjedhjet lokale.
Këtë muaj bëhet pikërisht një vit që kur Bullgaria e bllokoi rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, për shkak të, siç thonë përfaqësuesit e Sofjes zyrtare, çështjeve që kanë të bëjnë me historinë dhe gjuhën maqedonase. Që atëherë, kanë vazhduar përpjekjet e qeverisë së udhëhequr nga Zoran Zaev për të zgjidhur këtë çështje të hapur me Sofjen, por pa sukses. Informatat që dolën në opinion pas takimit të kryeministrit me partnerët e koalicionit qeveritarë, ishte theksuar se ekziston shpresë për zgjidhje të kontestit tani dhe mbajtjes së konferencës ndërqeveritare me BE-në kah mesi i dhjetorit. Në një situatë ku largimi nga posti i kryeministrit është i sigurt dhe pas rezultateve jo të mira të zgjedhjeve lokale, shtrohet pyetja nëse kjo garniturë ka legjitimitet për ta zgjidhur këtë çështje. Politologu Marjan Vuçkoviq thotë se tani situata me bisedimet do të jetë ndryshe.
“Situata në të dyja shtetet është mjaftë e komplikuar dhe nuk premton pamje pozitive për zgjidhje të kontestit për një kohë. Të dyja palët nuk kanë një qeveri legjitime të bazuar në një elektorat të gjerë, ndaj mendoj se shanset për të mbajtur një konferencë ndërqeveritare janë të pakta. Vetëm përpjekjet e BE-së do të ishin vendimtare për një gjë të tillë, por BE-ja aktualisht po kalon ndryshime të mëdha, të cilat e shtojnë edhe më shumë skepticizmin për një rezultat pozitiv deri në dhjetor”, ka deklaruar për KOHA, Marjan Vuçkoviq, politolog. Kryeministri, i cili njoftoi dorëheqjen e tij nga posti qeveritar dhe nga kryetari i partisë, të dielën menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve lokale, të nesërmen zhvilloi një takim me partnerët e koalicionit për të diskutuar mbi procesin pas largimit të tij dhe kuadrin që mund ta pasonte atë.
Megjithatë, politologu Deniz Memedi shprehet se zgjedhjet lokale nuk kanë të bëjnë fare me pushtetin qendrorë. “Duhet theksuar fakti që kjo garniturë qeveritare ka marrë mandatin vitin e kaluar dhe një ndër prioritet e saja në politikën e jashtme ishte pikërisht tejkalimi i problemeve me fqinjët me qëllim që të hapet perspektiva evropiane. Edhe në këtë drejtim diplomacia maqedonase ka dhënë sinjale pozitive duke treguar gatishmëri për zgjidhje të problemeve, gjë që është vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtarë, mirëpo në cdo moment po imponohen kërkesa / kushte nga shtetet fqinje në rast se vendi dëshiron të hapë negociata për anëtarësim me BE-në. Edhe po që se shkon kjo garniturë qeveritare, edhe tjetra duhet ta vazhdojë rrugëtimin e kësaj aktuales”, thotë për KOHA, Deniz Memedi.
Ndërkohë, deri sa Parlamenti pritet të zyrtarizojë dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, në Bullgari po zhvillohet fushata zgjedhore. Pas 14 nëntorit, fqinji lindor duhet të ketë një president të ri dhe një qeveri të re, pas përpjekjeve të pasuksesshme për të formuar pas dy cikleve zgjedhore nuk sollën një rezultat të qartë politik. Kjo do të thotë se për një marrëveshje të mundshme mes Shkupit dhe Sofjes që do të zhbllokonte integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut do të mbetej një kohë e shkurtër – nga 14 nëntori pas zgjedhjeve bullgare deri në mesin e dhjetorit kur zakonisht mbahet Këshilli për Çështjet e Përgjithshme të BE-së. (koha.mk)