Mbrojtja e standardit të qytetarëve: Rajoni vendos limite, Maqedonia pret masat e reja

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Qershor, 2022 20:11

Mbrojtja e standardit të qytetarëve: Rajoni vendos limite, Maqedonia pret masat e reja

Përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se edhe qeveria në vend, nevojitet të veprojë sipas modeleve të shteteve të rajonit dhe të heqë dorë pjesërisht nga një pjesë e kompensimeve që paguhen së bashku me karburantet si tatimet, akcizat dhe të ngjashme. Pas skadimit të masave që ulin çmimet e benzinave.

Ekzekutivi në Maqedoni në periudhën e kaluar ka ndërmarrë më shumë masa lehtësuese për qytetarët dhe biznesin si me ngrirjen e marzhave dhe uljen e tatimeve për produktet bazë, ashtu edhe me uljen e përkohshme të tatimeve dhe akcizës për karburantet. Njëherësh deri në fund të vitit do të mbetet shkalla prej pesë për qind për pagesën e rrymës. Qeveria në muajin mars deri në fund të muajit maj miratoi masën për uljen e normës së TVSH-së nga 18 për qind në 10 për qind të energjenseve apo benzinës pa plumb, gazit të lëngshëm dhe metanit që kishte për qëllim mbrojtjen e fuqisë blerëse të konsumatorëve final. Njëherësh uli edhe akcizën për karburantet për këto tre muaj. Pas skadimit të këtyre masave për uljen e TVSH-së dhe akcizës, çmimet e derivateve të naftës ju afruan çmimeve prej 110 denarë për litër. Njëherësh në mënyrë shtesë janë liruar importuesit nga pagesa e TVSH-së gjatë importit të gazit natyror, energjisë elektrike dhe asaj për ngrohje. Pas skadimit të këtyre masave, nuk janë njoftuar për masa të reja në aspektin e stabilizimit të çmimit të karburanteve të naftës.

BIZNESI KËRKON MASA LEHTËSUESE PËR NAFTËN

Përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se edhe qeveria në vend, nevojitet të veprojë sipas modeleve të shteteve të rajonit dhe të heqë dorë pjesërisht nga një pjesë e kompensimeve që paguhen së bashku me karburantet si tatimet, akcizat dhe të ngjashme. Ish kryetari i Shoqatës së Punëdhënësve dhe aktualisht kryetar i Kuvendit të kësaj organizate, Angel Dimitrov thotë se qeveria nevojitet që së paku për një periudhë të caktuar kohore të heqë dorë nga një pjesë e akcizës , duke subvencionuar në këtë mënyrë biznesin dhe qytetarët.

Nga ana tjetër, shoqatat e transportuesve vlerësojnë se shteti duhet të ndihmojë këtë sektor me uljen e caktuar të akcizave, me tatimet ekologjike, duke ndjekur edhe shembujt e shteteve të rajonit që mundësojnë kthimin e një pjese të akcizës. “Nevojitet që shteti së paku të ulë akcizën apo të mundësojë kthimin e një pjesë të akcizës prej një denarë për litër karburant që ne të mund të kthejmë në mënyrë reciproke këto mjete në shtete ku praktikohet diçka e tillë dhe ku ne transportojmë mallra. Aktualisht këtë masë për kthimin e të hollave e realizojnë vetëm shfrytëzuesit vajit të gazit për ngrohje, ndërsa të tjerët nuk mund të kthejnë këto mjete as në vendin e tyre dhe as jashtë shtetit”, thonë nga shoqata e transportuesve “MakamTrans”.

Përderisa në Maqedoni akoma nuk dihet se çilat do të jenë masat e reja anti krizë, dhe çka do të ndërmerret për të zbutur rritjen e madhe të çmimit të karburanteve, në shtetet fqinje si Kosova janë miratuar këtë muaj udhëzime administrative për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme si dhe masave tjera mbrojtëse.

KOSOVA ME MASA LEHTËSUESE

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari, në arsyetimin e saj të paraqitur në mbledhjen e qeverisë, tha se “udhëzimi ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe mënjanimin e çrregullimit të tregut”.

Kryeinspektorja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Lebibe Haliti thotë se pompat e derivateve kanë filluar ta zbatojnë vendimin për çmimet e derivateve të vendosura nga ministria. Nga të dhënat që i posedon nga inspektorët e terrenit, Haliti tha se ky vendim po respektohet. Ndërsa, për bizneset që nuk e respektojnë vendimin e MINT për çmimet e derivateve parashihen dënime me gjobë nga 2 mijë deri në 6 mijë euro.

Kohë më parë autoritetet në Prishtinë kanë njoftuar se “Çmimi maksimal i lejuar i produktit Dizel është: 1.85 eurocentë për litër; Çmimi maksimal i lejuar i produktit Benzinë është: 1.74 eurocentë për litër; Çmimi maksimal i lejuar i produktit Gas është: 0.78 eurocentë për litër. Çmimet e lartë cekura vlejnë për datën 27 qershor 2022 prej orës 10:00 dhe janë valide 24 orë nga data dhe ora e publikimit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në ndërkohë, Aleanca e Bizneseve ka kërkuar që Qeveria ta rishikojë Udhëzimin Administrativ dhe të marrë një vendim tjetër të heqjes së akcizës në derivate, si dhe të përcaktojë limitin e marzhës në bashkëpunim me komunitetin e bizneset. Në një komunikatë për media thuhet se sektori i naftëtarëve në Kosovë është shumë i rëndësishëm në ekonominë vendore si i tillë nuk duhet injoruar dhe shkaktuar me vendim të njëanshëm. “AKB në këtë rast vlerëson se kjo ndërhyrje e pa drejt e Qeverisë së Kosovës në ekonomin[ e tregut ku shteti ndërhynë në konkurrencën të lirë është shkelje flagrante e të drejtës kushtetuese të nenit 10 dhe 11 të kushtetutës sepse sa i përket momentit të ndërhyrjes në çmime, neni 11 ka vetëm 3 raste, ndërsa në nenin 15 është tejkaluar kompetenca e nenit 11, duke shtuar disa rate të ndërhyrjes në çmime”, deklaron AKB-ja në këtë komunikatë. “Ky udhëzim ende nuk është publikuar në gazetën zyrtare, mirëpo kërkesa jonë është që këtë udhëzim ta apelojmë në Gjykate fillimisht për pezullim, e mandej të vazhdohet procedura edhe për anulimin e tij të plotë, pasi që ky udhëzim është në kundërshtim me ligjin për derivate të naftës neni 15”, deklaron AKB.

KROACIA VENDOS TAVANIN E ÇMIMEVE

Javën e kaluar edhe Kroacia ndërmori masa për të bllokuar shtrenjtimin e karburanteve të naftës në të gjitha pompat e benzinës, me përjashtim të atyre që janë vendosur në autostrada, me qëllim që të lehtësohet gjendja e qytetarëve në valën e madhe të shtrenjtimeve. Kështu një litër i dizelit në pompat jashtë autostradave do të jetë 1.74 euro, ndërsa benzina do të jetë 1.8 euro.

Do të vendosim çmime fikse për të gjitha pompat e benzinës jashtë autostradave, ndërsa do të rriten çmimet vetëm në autostrada të benzinës dhe naftës. Me këtë e kemi ruajtur standardin e një numri të madh të bashkëqytetarëve tanë, si dhe mundësojmë një sezon intensiv turistik, thotë kryeministri kroat Andrej Plenkoviq. Duke shtuar se kjo masë do të vlejë dy javë, ndërsa qeveria duke ndjekur situatën në treg do të veprojë më tej me masa të reja. Kohë më parë, Kroacia ka përkufizuar marzhat e tregtarëve, akcizat etj, si dhe ka vendosur përllogaritjen 14 ditore të çmimeve të karburanteve të naftës. Pritet që në rast nevoje, që qeveria Kroatë të intervenojë sërish në aspektin e vendosjes së çmimeve fikse dhe uljes së mëtejshme të akcizave.

GJERMANIA ANULON KOMPENSIMET, UL ÇMIMIN

Edhe Gjermania këtë muaj ka liruar çmimet e derivateve të naftës me uljen e tatimeve, si pjesë e pakos qeveritare të ndihmave në kohën e inflacionit. Në muajin maj para lirimeve fiskale çmimet e naftës kanë qenë më të larta e dy euro për litër. Pas shpalljes së taksës më të ulët, përllogaritja e përafërt dukej kështu: benzina do të kushtojë 35 centë më pak, nafta gati 17 cent më pak. Por çmimet në pikat e karburantit në Gjermani janë mjaft jo transparente. Sa tarifojnë kompanitë e naftës dhe sa është marzhi i pikave të karburantit, ky është një sekret që ruhet mirë. Nuk është rastësi që në Gjermani kompanitë e naftës janë sërish nën mbikëqyrjen më të rreptë të Agjencisë Federale të Kartelit. Sepse çmimi i naftës, i cili u rrit ndjeshëm në fillim të luftës në Ukrainë, u kthye shpejt në normalitet në tregjet botërore, ndërsa rritja e çmimeve në pikat e karburantit në Gjermani zgjati shumë më gjatë.

HUNGARIA MË LIRË VETËM PËR TARGAT HUNGAREZE

Nga ana tjetër, Qeveria hungareze njoftoi në muajin maj se vetëm automjetet me targa hungareze do të mund të blejnë benzinë ​​dhe naftë me një çmim të reduktuar prej 480 forintë (1.2 euro), që është deri në 60 për qind më e ulët se çmimi që kanë pronarët e makinave me targa na të huaja. Për këtë veprim ka reaguar edhe Brukseli zyrtar. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Sonja Gospodinova thotë se Hungaria po diskriminon qytetarët e vendeve të tjera të BE-së, sepse ajo shet karburant me çmime të reduktuara vetëm për pronarët e automjeteve me targa hungareze, ndërsa të tjerët duhet të paguajnë çmimin e tregut. Në fillim të këtij muaji, Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton i ka thënë Hungarisë që të heqë çmimet diskriminuese të karburanteve për automjetet me targa të huaja, duke shtuar se nëse nuk e bën këtë, kërcënohet me procedim kundërvajtës. “Ju kërkoj të shpjegoni arsyeshmërinë dhe kohëzgjatjen e këtyre masave, sepse është e mundur që ato të shkelin ligjet e Bashkimit Evropian dhe t’i shfuqizoni ato derisa të përcaktohet nëse ato janë në përputhje me rregulloret e Unionit”, ka shkruar Breton në letrën e dërguar ndaj Ministrit Hungarez të Teknologjisë. Breton deklaroi se Komisioni Evropian rezervon të drejtën për të nisur procedura urgjente kundërvajtëse, të cilat mund të çojnë në procedura gjyqësore kundër Hungarisë si dhe gjobave në të holla. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Qershor, 2022 20:11