Mbyllet Eurostandard Bank, kursimtarët do të dëmshpërblehen

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 12 Gusht, 2020 19:26

Mbyllet Eurostandard Bank, kursimtarët do të dëmshpërblehen

Banka popullore sot e mbylli bankën Eurostandard SHA Shkup për shkak të mospërmbushjes së kushteve minimale ligjore për punë.

Siç kumtoi guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska, mbyllja e bankës fare nuk do ta sjellë në pikëpyetje stabilitetin e sistemit bankar, ndërsa të gjitha depozitet e kursimtarëve do të paguhen në suaza të afateve ligjore.

BP nesër do t’i parashtrojë propozim gjykatës kompetente për hapje të procedurës falimentuese në Eurostandard bankën.

Në pajtim me gjendjen deri më 31 korrik 2020, do të dëmshpërblehen 136.619 deponentë me gjithsej 4,4 miliardë denarë. Të tjerët, 780, nuk do të dëmshpërblehen në tërësi sepse do të mbulohen vetëm shumat në bankë deri 30.000 euro.

“E bindim opinionin se investuam përpjekje të jashtëzakonshme për t’u gjetur një zgjidhje tjetër  për bankën, të mos vijë deri te mbyllja e saj”, tha Angellovska-Bezhoska në konferencë për shtyp.

Gjatë periudhës së kaluar për shkak të rreziqeve në punë, Eurostandard banka ishte nën mbikëqyrje të përforcuar supervizore. BP vazhdimisht i ka shqiptuar masa dhe e ka përforcuar intensitetoin e supervizionit në mënyrë që të mënjanohen dobësitë. I janë vendosur edhe kufizime të aktivitetit kreditor. I ishin lejuar kreditime vetëm të klientëve me rrezik A dhe B, ndërsa ka pasur edhe limit më të ashpër të kontrolluar për ekspozim individual ndaj klientëve, i vendosur në pesë për qind nga mjetet e veta përkundër limitit ligjore prej 25 për qind.

Problemet kyçe të Eurostandard bankës, vlerësoi guvernatorja, ishin reflektim i dobësive nga periudha e kaluar, e jo e gjendjeve rrjedhëse.

“Një nga dobësitë më të mëdha të punës së bankës ishte ndërmarrja më e madhe e rrezikut kreditor që shqyrtohet përmes cilësisë së dobët të portofoleve kreditore apo sigurimit më të vogël të kredive që janë dhënë, e kjo rezultoi me humbje kreditore”, sqaroi Angellovska-Bezhoska.

Sipas të dhënave të fundit, kreditë marrin pjesë me 50 për qind të aktivit të prëgjithshëm të bankës, përkatësisht 3,6 miliardë denarë është neto vlera e portofolit kreditor.

Në Eurostandard bankën punonin rreth 170 persona. Guvernatorja shfaqi shpresë se ata do të absorbohen nga bankat e tjera sepse bëhet fjalë për kuadër cilësor.

Eurostandard banka SHA Shkup pati edhe marrëveshje ekskluzive me Postën e Maqedonisë për shfrytëzimin e sporteleve për qarkullim pagesor. Angellovska-Bezhoska tha se me hapjen e procedurës falimentuese, ajo marrëveshje ndërpritet, ndërsa i takon Postës së Maqedonisë ta shqyrtojë nevojën për marrëveshje tjetër me banka të tjera.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 12 Gusht, 2020 19:26