Mbyllja e kufirit dëmton bizneset

Desk
By Desk May 9, 2020 18:08

Mbyllja e kufirit dëmton bizneset

Pronarët e bizneseve në Dibër – dy muajt e fundit me paraqitjen e koronavirusit kanë dëme të mëdha. Sidomos dëmet vijnë nga mbyllja e përkohshme e kufirit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, meqë pothuajse gjysma e xhiros tregtare në Dibër bëhet nga shtetasit shqiptar që jetojnë në vendbanimet urbane dhe rurale në afërsi të kufirit.

Biznesmenët dibran shtojnë se viteve të fundit, pa prezencën e shtetasve shqiptarë, shumë shitore dhe biznese nuk do të mund të ekzistonin, shkruan gazeta KOHA.

Sipas Odës rajonale të zanatçinjve në Dibër, mbyllja e kufirit për shkak të virusit Covid-19, faktikisht ka ulë dukshëm xhiron në dyqanet për veshmbathje, dyqanet me artikuj ushqimor, shitoret për teknik të bardhë, por edhe xhirot në pikat e karburanteve. Drejtori ekzekutiv i Odës rajonale të zanatçinjve në Dibër, Fisnik Saraçi, thotë se ka një ulje drastike të xhiros tek biznesi dibran. Sipas tij, vetëm nga mbyllja e kufirit ulja e xhiros është diçka më shumë se 35 për qind. Shtetasit shqiptar viteve të fundit në Dibër sigurojnë nevojat e tyre me artikuj ushqimor, teknik të bardhë, por edhe marrin shërbime tek frizerët, berberët, artarët, e tjerë. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e fitimit tek zanatçinjtë dibran si dhe tek marketet për artikuj ushqimor, si dhe fitimet në pikat e karburanteve që funksionojnë në Dibër. Shumë shtetas shqiptarë deri para dy muajve – me karburante furnizoheshin në tre pikat e karburanteve në Dibër.

Për më shumë se një muaj, vet zanatçinjtë në Dibër mbyllën aktivitetet e tyre. Në Dibër ka afro 130 zanatçinj, mes të cilëve bukëpjekës, frizerë, automekanikë, artarë, këpucëtarë, si dhe aktivitete të tjera. Të gjithë këta dyqane kanë humbje, thonë përfaqësuesit e Odës rajonale të zanatçinjve në Dibër. Duke marrë parasysh se biznesmenët dibran vlerësojnë se biznesi dibran frymon lirshëm për shkak të konsumatorëve nga vendbanimet të Shqipërisë, duhet të theksohet se pothuajse gjysma e xhirove në të gjithë sferat mbulohet me mjetet e siguruara nga shtetasit shqiptar. Ata janë të rregullt në objektet shërbyese në Dibër siç janë restorantet, kafiteritë, por edhe në institucionet shëndetësore. Sidomos duhet theksuar prezencën e tyre tek dentistët, por edhe tek mjekët specialistë, të cilët janë të angazhuar në Spitalin e Dibrës, por edhe kanë ambulancat e tyre.

Pikërisht për këtë çështje, në Dibër tregtarët dhe zanatçinjtë me padurim presin hapjen e kufirit me Shqipërinë. Hapja e kufirit do të thotë kthim i plot i biznesit dibran. Po ashtu në pritje të hapjes së kufirit janë edhe pronarët e shitoreve tregtare për moblilieri dhe sanitari në vendbanimet Maqëllarë, dhe qytetin e Peshkopisë në Shqipëri. Pronarët në këtë sektor thonë se pas mbylljes së kufirit dibranët nuk kanë mundësi të blejnë prodhimet e tyre, meqë në të kaluarën – sidomos një interes të madh tek dibranët ishte blerja e pllakave sanitare dhe elementeve të ndryshme të mobilierisë.

Në vendkalimet kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në afërsi të Dibrës, siç janë “Bllata” dhe “Xhepisht-Trebisht”, aktualisht janë prezent vetëm të punësuarit në këto pika kufitare. (koha.mk)

Desk
By Desk May 9, 2020 18:08