Më 15 maj inaugurohet memoriali i myftinisë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 8, 2019 19:44

Më 15 maj inaugurohet memoriali i myftinisë

Më 15 maj, në ditën e dhjetë të muajit të Ramazanit do të inaugurohet objekti i ri memorial dhe multifunksional tek varrezat e qytetit të Tetovës, që është pronë e Muftinisë së Tetovës. Këtë e ka bërë të ditur myftiu i Tetovës, Qani ef. Nesimi.

Ai tha se ky objekt në dokumentacion i quajtur objekt memorial është në shërbim të shoqërisë, një objekt me shërbime sociale për nevojat e jetës fetare dhe shoqërore të besimtarëve mysliman. “Ky objekt është në përfundim e sipër dhe përveç disa çështjeve shumë të vogla që kanë mbetur për tu finalizuar, ne objektin e llogarisim të përfunduar dhe kemi planifikuar hapjen e tij, kështu që është caktuar edhe dita kur do të bëhet edhe hapja e këtij objekti. Hapja e objektit do të bëhet në ditën e dhjetë të Ramazanit që përkon me 15 Majin e vitit 2019, ku do të kemi mysafir hoxhallarë, xhematë dhe planifikojmë që edhe këtu në këto hapësira të bëjmë edhe një dua iftari, pra të hamë një iftar bashkërisht në këtë hapësirë”, u shpreh Nesimi.

Ai ka falënderuar të gjithë donatorët dhe përkrahësit e këtij objekti. “Unë për ndërtimin e këtij objekti dua të falënderoj të gjithë donatorët duke filluar nga xhamitë, nga hoxhallarët, nga këshillat e xhamive, nga xhemati, dhe nga donator të tjerë që janë individë të caktuar, firma të ndryshme, që ne në hapje do t’i përmendim. Tash nuk dua të zgjerohem, të gjithë dua t’i falënderoj, por që është një privilegj se ky objekt është iniciativë e xhematit tonë këtu të Tetovës”, tha Nesimi.

Ai ka thënë se objekti memorial do të ofrojë shumë shërbime. “Ky është një objekt i cili ofron të gjitha shërbimet për varrimin e një familjari, të gjitha shërbimet që duhen, janë këtu në këtë objekt. Në pjesën e bodrumit të këtij objekti, kemi hapësirën për njerëzit, familjet të cilat nuk kanë mundësi që të presin për ngushëllime familjarët e tyre nëpër shtëpitë ose banesat e vogla. Ne këtu ofrojmë hapësirën për gjininë mashkullore dhe femërore që gjithkush do të ketë mundësi që ta shfrytëzojë”, tha ai. Kurse dy lokale do të jepen me qira, për siç thotë ai, që të mund të mirëmbajnë objektin me ato mjete.

“Po ashtu kemi këtu një pjesë që mendojmë që ta komercializojmë, jo se ne do të fitojmë shumë prej saj, por komercializimi i dy lokaleve që mendojmë ti japim me qira është për mirëmbajtjen e këtij objekti se është një objekt shumë i madh. Dhe lartë kati i parë gjegjësisht kati i fundit i këtij objekti është hapësirë që ne do ta shfrytëzojmë për takime, për mbledhje, për seminare, për kurse, për aktivitetet tona që kanë të bëjnë me segmentin fetaro-kulturor të jetës fetare dhe shoqërore, pra çdokush që do të ketë një takim që do të marrë 200, 300 apo 500 persona në mënyrë shumë të rehatshme komode, mund ta shfrytëzoj hapësirën për ta realizuar manifestimin e tij”, deklaroi Myftiu Nesimi. Objekti memorial tek varrezat në Tetovë ka filluar të ndërtohet para tre vitesh. (koha.mk)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 8, 2019 19:44