Me gazin rus BEG kërkon t’i “ngrohë” shkupjanët trefish më shtrenjtë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 30 Dhjetor, 2021 13:06

Me gazin rus BEG kërkon t’i “ngrohë” shkupjanët trefish më shtrenjtë

Rreth 56.000 shfrytëzues të ngrohjes qendrore në Shkup nga 1 janari mund të pranojnë fatura jashtëzakonisht të larta, pasi BEG ka paraqitur kërkesë te Komisionin Rregullator për Energjetikë (KRRE) për të rritur çmimin e ngrohjes qendrore për 300 për qind. Balkan Energy Group e mbron këtë kërkesë me rritjen e madhe të çmimit të gazit natyror në bursat botërore, në periudhën e kaluar. Megjithatë, pritet që Rregullatori mos ta pranojë këtë propozim, transmeton Meta.mk.

KRRE konfirmon se ka ardhur kërkesë e tillë nga BEG, por mbetet të përcaktohet sa do të jetë rritja e faturave të ngrohjes për qytetarët e Shkupit. Rregullatorët do të kërkojnë dëshmi nga BEG për çmimin me të cilin do të blihet gazi natyror, i cili nga ana tjetër përdoret si lëndë djegëse për funksionimin e ngrohtoreve të Shkupit, për të prodhuar energji  termale.

BEG në komunikatë thekson se kompanitë i dorëzojnë shpenzimet në KRRE dhe në bazë të këtyre shpenzimeve, KRRE e përcakton çmimin për konsumatorët e fundit.

Ndryshe, vendi ka ndërtuar lidhje vetëm me gazsjellësin nga Bullgaria, ku të gjitha sasitë e gazit natyror vijnë janë nga Rusia.

“Makpetrol”, kompania që e menaxhon gazsjellësin, sot pasdite njoftoi se ka nënshkruar kontratë me kompaninë shtetërore ruse Gazprom, duke i siguruar ashtu sasitë e nevojshme të gazit për tregun e Maqedonisë. Ata sqarojnë se çmimi i gazit është 30% më i ulët se çmimi në bursë, por gjithashtu shtojnë se “Makpetrol” i furnizon me gaz disa kompani që sigurojnë  ngrohje qendrore për qytetarët, megjithatë BEG nuk është klient i tyre.

Ndryshe, Komisioni Rregullator i Energjetikës në fund të korrikut të vitit të kaluar mori vendime me të cilat çmimi përfundimtar i energjisë  termale, që dorëzohet te tri kompanitë në territorin e qytetit të Shkupit, të zvogëlohet mesatarisht me 4 për qind. Ndërkohë, kriza globale energjetike e goditi Evropën këtë vjeshtë me rritje të madhe të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit, kurse disa vende të Evropës Lindore tashmë e akuzojnë Rusinë se po e përdor gazin si armë.

Polonia këtë javë e akuzoi Moskën se po i ndalë dërgesat e saj përmes tubacionit “Jamal-Evropë”, duke e akuzuar kompaninë Gazprom për “manipulim”.

Operatori ukrainas i gazit disa ditë më parë tha se Rusia po dërgonte më pak gaz në Evropë, nëpërmjet Ukrainës se sa ishte rënë dakord në marrëveshjen e transitit. Gazpromi dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje pesëvjeçare për transitin e gazit rus për në Evropë në fund të vitit 2019 raporton Dojçe Vele.

Moldavia shpalli gjendje të jashtëzakonshme dimrin e kaluar, pasi pranoi propozim nga Rusia për të trefishuar çmimin e gazit natyror, pra nga 1 janari 2022 të marrë gazin me çmim prej 790 dollarë, për 1000 metër kub. BE e kualifikoi këtë propozim të Moskës si presion mbi politikat pro-evropiane që po i ndjek presidentja moldave Maja Sandu.

Përballë kësaj, presidenti serb Aleksandar Vuçiq zhvilloi bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus Vladimir Putin për çmimin e gazit natyror, që Serbia do të marrë nga 1 janari. Në tetor, Moska i ofroi Serbisë një çmim prej 790 dollarë për 1000 metër kub gaz natyror. Pas kësaj Vuçiqi zhvilloi bisedime kokë-më-kokë në Soçi me Putinin dhe arriti ta bindë që çmimi i gazit për Serbinë edhe në gjashtë muajt e ardhshëm të jetë 270 dollarë, për 1000 metër kub, raporton gazeta Danas dhe programi i BBC-së në serbisht.

Megjithatë, autoritetet serbe nuk sqaruan se si presidenti Vuçiç ia ka dalë ta bindë Rusinë të ulë trefish çmimin e gazit, që fillimisht ishte propozuar nga Moska.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 30 Dhjetor, 2021 13:06

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare