Me Jonuza e Domuza nuk ndryshon asgjë në BFI, edhe po të ikë Shaqiri!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Qershor, 2023 00:29

Me Jonuza e Domuza nuk ndryshon asgjë në BFI, edhe po të ikë Shaqiri!

Shkruan: Driton ZENKU

“Shkoi Jonuzi erdh Domuzi” vendosa ta quaj shkrimin e para disa muajve derisa komentoja 2 vjetorin e qeverisjes së Shaqir Fetahu me Bashkësinë Fetare Islame – BFI.

Shkrimi vuri theksin tek reformat e premtuara nga kreu aktual i BFI-së e që nuk u realizuan në dy vititet e para të qeverisjes së tij me institucionin më të lartë që kujdeset për zhvillimin e jetës fetare të gati gjysmës së popullatës së Maqedonisë së Veriut.

Ishte një shkrim që shprehte bindjen time, edhe pse, nga qarqe brenda BFI u përkufizuan me etikete banale se kinse shkrimi ishte nxitur nga puçistë që duan ta rrëzojnë nga froni Shaqir Fetahun.

U lëvizën të gjitha gurët që shkrimi të tërhiqej nga opinioni. Reagime, intervenime nga të gjitha anët. Unë si një besimtar i fesë Islame dhe si një gazetar që ndjek zhvillimet në shoqëri, shpreha bindjen time dhe asgjë më shumë. As i nxitur nga puçistë, as i ndikuar nga asnjë faktor tjetër. Nuk pranoi as urdhëra dhe as transmetoi bindjen e të tjerëve.

Shkrimi i para disa muajve, pa ndonjë tendencë apo paramendim u parapriu zhvillimeve të fundit në BFI, e që ky institucion ende nuk po prononcohet publikisht. U bënë ca shkarkime të disa nga drejtuesit e institucioneve që funksionojnë në BFI, u dhanë ca deklarata dhe aq.

Duke i ditur bukur mirë zhvillimet në BFI, madje në detale e detaje, të japësh një koment përmbajtësor rreth gjendjes ku ka rënë kjo organizatë fetare, është shumë e vështirë.

Do të kthehem te titulli i shkrimit që trazoi shpirtërat e krerëve të BFI, “shkoi Jonuzi erdh Domuzi”. Jam i bindur që thelbësisht asgjë nuk ndryshoi nga epoka a Sulejman Rexhepit dhe ajo që pasoi me në krye Shaqir Fetahun.

Janë bërë ca lëvizje minimale, siç është pagesa e Haxhit përmes sistemit bankar, pagesa e fitrave, zeqatit, kurbaneve, e tjerë. U azhurnua databaza me raportet financiare të Muftinive nga të gjitha qytetet. U tentua të kthehet besimi në shtetet arabe dhe u hapën ca dyer që ishin mbyllur nga e kaluara. Lëvizën disa procese që në shikim të parë janë minimaliste dhe nuk janë ato reformat e mëdha që u premtuan.

I gjendur në një rreth vicoz që kishte mbërthyer kreun e BFI-së për vite e dekada, Shaqir Fetahu nuk arriti të reformon sistemin. La në pozicione të njejta personat që bashkëqeverisën me Sulejman Rexhepin për vite e vite. Nëse Rexhepi kishte bë 1 milion mëkate, bashkëmëkatarë llogariten të gjithë njerëzit përreth tij.

Pesë në dymbëdhjetë, gati i gjithë ekipi i Sulës e tradhëtuan atë dhe iu bashkuan Shaqës. Arsyeja është aq e thjeshtë. Të vazhdohet qeverisja me çdokusht dhe me çdo çmim. Ashtu edhe ndodhi për mbi dy vite, derisa plasi sherri mes tyre.

Në emër të balansit, qetësimit të situatës, shuarjes së zërave kritik dhe krijimit të opinionit që në BFI çdo gjë funksionon perfekt, Shaqir Fetahu përtypi shumë gjëra. Ca njerëz i la të azgandisen aq shumë sa nuk respektonin edhe urdhërat e BFI. Një nga ata azgana ishte edhe ish kandidati për kreun e BFI, muftiu i Tetovës Qani Nesimi i i cili për dy vite nuk ka dorëzuar raport financiar në BFI.

Prej dy vitesh, Nesimi vepron Republikë në vete. E mbani mend atë momentin kur iku nga konferenca për shtyp kur u shpallë fituesi i garës për Reis? Kjo është pasqyra më e mirë e veprimit të tij. Pushtet dhe vetëm pushtet. Këtë sjellje e ka lejuar Shaqir Fetahu. Pse ? Sepse nuk e bëri dot trasparencën. Nuk i bëri publike në faqen e organizatës në internet raportet e Muftinive të tjera dhe të mungonte vetëm ajo e Muftinisë së Tetovës. Të shihej në opinon që një Mufti dilingji nuk respekton hierarkinë. Fetahu e heshti dhe lejoi të vazhdonte anarkia në BFI.

Si Nesimi gati gati të njejtë ishin edhe të tjerët që mbanin pozicione në BFI. Azgana e trima që shanin korridoreve të BFI me fjalor vulgar, e që sot të moderuar e me fjalën e Zotit në gojë po shkruajnë opinione rreth zhvillimeve në BFI.

Secili nga ata ka vepruar shtet në vete, me ca përjashtime. Shaqiri nuk arriti të reformon BFI, duke nisur nga drejtuesit e institucioneve që veprojnë në BFI. Shaqiri nuk arriti ta kalon vetveten, sepse, ishin ata që ia kthyen shpinën Sulës e brenda natës kaluan te ai, dhe sot po i kthehen kundër.

Sa të komplikuara janë gjërat në BFI. Sa Jonuza e Domuza paska pasur brenda organizatës. Sa e vështirë është sot të mbash një qëndrim për zhvillimet në BFI. Po e kritikove Shaqirin, Jonuzat e Domuzat e tjerë mendojnë se mban anën e tyre. Të afrohen, të ofrojnë informata e dokumente që sa më shumë ta nxish figurën e tij. E këto njerëz nuk e meritojnë të drejtojnë Bashkësinë Fetare Islame në asnjë moment dhe me asnjë kusht.

O Zot, në çfarë derexhe është BFI. Luftë e egër brenda llojit vetëm për të marrë pushtetin. A do të rregullohen punët në BFI? E vështirë të japësh një përgjigje. Si mund të besohet që do të rregullohen punët atje, derisa pretendentë për kapjen e fronit janë vetëm Jonuza e Domuza. Çka do të ndryshonte atje, nëse në krye do të vinin Jonuzat e Domuzat, pa përjashtim që të gjithë bashkëpunëtorë të Sules dje, e të Shaqës deri para disa ditëve.

Reformat në BFI do të ndodhin dhashtë Zoti me njerëz të ditur e të ngritur, me njerëz të dinjitetshëm, me njerëz të moralshëm, me njerëz të fesë e të kombit. A ka ashtu njerëz në BFI? Po ka, por janë poshtë diku që shumë vështirë e kanë të vijnë në shprehje nga Jonuza e Domuza, nga Nesima e Vejsela që pa pushtet në BFI nuk e mendojnë dot vazhdimin e jetës së tyre, qoftë në krah të Sulës dje, Shaqës sot, apo ndonjë Jonuza a Domuzi nesër.

Një nga parimet fetare thotë: Mos ia jep pushtetin atij që me çdo kusht e kërkon, nijet duhet të jetë i keq. Pa dyshim, pjesë e këtyre njerëzve janë edhe puçistët e mëhershëm, edhe puçistët e tashëm. Ata nuk e kanë vendin në krye të BFI. Në BFI duhet të ndodh populli, dhe populli të nxjerrë prijësit e tyre nga shtresa e popullit, ata hoxhollarë të rinjë e të mirë që shërbejnë nëpër Xhamitë e vendbanimeve tona. Ata janë njerëzit e duhur. Të pa ndikuar nga asnjë rrymë, nga asnë qarkë politik apo shtetëror.

Për fund, duke dashur të ruaj qetësinë shpirtërore e që e kam pasuri më të çmuar në jetë për 20 vite në gazetari, me këtë shkrim po e rrumbullakoi temën për zhvillimet në BFI. Nuk dua që të jep pjesë e së keqes sot, apo pjesë e së keqës nesër. Ky qëndim do të vijë në shprehje edhe në mediat që kam marrë për sipër të orientoj politikën redaktuese.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Qershor, 2023 00:29

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare