Me ligj të ri do të depolitizohet administra
Ligji për drejtuesit e lartë duhet të lejojë depolitizimin e administratës nga maja e piramidës. Teksti i ligjit duhet të publikohet në ENER në dy javët e ardhshme, të marrim komente dhe do të organizojmë diskutime publike, tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti në një diskutim online, përcjell FLAKA.
Ministri Aliti thotë se sistemi i propozuar i menaxhimit të lartë duhet të sigurojë arritjen e dy qëllimeve kryesore: së pari, menaxherët e lartë profesionistë të përzgjedhur përmes një procedure të hapur dhe meritokratike bazuar në kompetencat e tyre profesionale dhe së dyti, vendosja e një marrëdhënie besimi dhe përgjegjësie personat e emëruar dhe drejtuesit e lartë.
Tani për tani, ky ligj, shtoi ai, duhet të përfshijë 130 institucione me idenë e rritjes së këtij numri. Për momentin, me këtë ligj nuk do të përfshihen institucionet e vetëqeverisjes lokale.
“Në këtë projektligj të ri, komisioni për shërbimin e lartë drejtues përcaktohet si organ i pavarur shtetëror me cilësinë e personit juridik dhe me buxhet të vet dhe i përgjigjet Qeverisë. Ligji zbatohet për sekretarët në ministri, drejtorët në organet e administratës shtetërore, drejtorët e drejtorive dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike të themeluara nga Qeveria. Zbatimi do të ecë paralelisht me procesin e riorganizimit. Fillimisht do të aplikohet në MSHIA, në Ministrinë e Ekonomisë dhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave”, tha Aliti.
Në drejtim të depolitizimit të plotë të administratës dhe vendosjes së një sistemi meritor të procedurave të punësimit në periudhën e kaluar, MSHIA ka punuar dhe ka përgatitur tre ligje të reja. Siç informoi ministri, bëhet fjalë për ligjin për shërbimin e lartë drejtues, ligji për punonjësit e sektorit publik dhe ligjin për zyrtarët administrativë.
“Këto tre ligje të ndërlidhura janë bazë për përjashtimin e plotë të ngacmimeve politike dhe të gjitha ndikimeve të tjera në procedurat e punësimit në sektorin publik”, tha Aliti.
Këto ligje, siç theksoi ministri, janë veçanërisht të rëndësishme dhe synohet që në muajt në vijim të kalojnë në Kuvend. FLAKA