Me marsh nëpër Tetovë u shënua Dita ndërkombëtare e romëve
Në prag të 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Asociacioni për Zhvillim Demokratik të Romëve Sonce – Tetovë, sot organizoi Marshin e dinjitetit dhe krenarisë. Marshi filloi nga lagjja Potok deri në Sheshin e qytetit. Sllogani i shënimit të sotëm është “Dukshmëri më e madhe e romëve”.
“Përveç asaj që në rrjedhë është zbatimi i Dekadës së romëve, që është dokument zyrtar i pranuar nga Qeveria e Maqedonisë, megjithatë është fakti që romët nuk janë të dukshëm, nuk janë pjesë e proceseve shoqërore. Është fakt se që të arrihet ajo dukshmëri duhet të punojnë shumë më tepër jo vetëm komuniteti rom por edhe institucionet e sistemit. Në periudhë të fundit ka dëshmitarë se përfshirja e bashkësisë rome në vend se të rritet, po zvogëlohet. Kështu që në çdo rast motoja është dukshmëri më e madhe e komunitetit etnik rom në të gjitha sferat e veprimit shoqëror”, deklaroi Hasan Idrizi nga organizata joqeveritare Anglolipe.
Nga Asociacioni “Sonce” potencojnë se nevojitet ngritje e vetëdijes për përfshirje të romëve në shoqëri.
“Qëllimi i këtij Marshi është të dërgohet mesazhi se komuniteti rom është krenar me identitetin e vet dhe përkundër problemeve dhe padrejtësive me të cilat përballen prapë se prapë jetojnë me dinjitet. Me këtë Marsh komuniteti rom mundohet të ndërgjegjësojë pushtetin nacional dhe lokal, gjithashtu edhe ndërgjegjësim të komuniteteve të tjera se edhe komuniteti rom është pjesë e këtij shtet dhe se duhet të bëhet përpjekje për të përmirësuar gjendjen e Romëve për të qenë në nivel të njejtë me komunitetet tjera me të cilat jetojnë”, theksojnë nga “Sonce”.
Përveç marshit me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve sot prej orës 18:00 në Qendrën e kulturës në Tetovë është paraparë të mbahet performansë kushtuar identitetit të kësaj bashkësie etnike.