Më pak udhëtarë, më shumë shoferë!

Desk
By Desk 24 Prill, 2019 19:32

Më pak udhëtarë, më shumë shoferë!

Ulet me të madhe numri i udhëtarëve që shfrytëzojnë shërbimet e transportit urban në Shkup. Raportet vjetore të punës financiare për punën e ndërmarrjes publike tregojnë se në vitin 2018, shërbimet e saja i kanë 52.990.214 udhëtarë, ndërsa katër vite më parë të njëjtat shërbime i kanë shfrytëzuar 44.726.781 udhëtarë. Kjo udhëzon se për katër vite është zvogëluar për afër 8 milionë, numri i udhëtarëve që shfrytëzojnë shërbimet e transporti urban në Shkup. Në ndërkohë përkundër ndotjes së madhe që po ndodh dimrit në kryeqendrën e Maqedonisë së veriut, jo vetëm që nuk kemi rritje të shfrytëzimit të transportit urban, por përkundrazi kemi rritje të numrit të veturave të regjistruara në Shkup prej 122 mijë në vitin 2012 në mbi 143 mijë në vitin 2017, që në mënyrë shtesë ka rritur ndotjen në Shkup.

Në ndërkohë, autoritet e qytetit të Shkupit thonë se deri në fund të vitit me një kredi të vlefshëm 10 milion euro nga Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim do të blejnë ndërmjet 35 dhe 50 autobusë me gaz, që do të nxjerrin nga përdorimi autobusët e vjetër që ndotin ambientin. Ekspertët e komunikacionit thonë se në Shkup nevojitet të vendoset transport më i shpejtë me kapacitete më të mëdha që do të marrin parasysh edhe uljen e ndotjes së ajrit. Profesori universitar Nikolla Krstanovski thotë se në Evropë ekzistojnë 34 qytete me madhësi të ngjashme me Shkupin, ku kryeqyteti jonë i vetmi nuk ka transport me një efikasitet të lartë dhe nuk ka as tramvaj, autobusë të shpejtë apo rrjet ndër urban të hekurudhës, Nga ana tjetër , përkundër vendosjes së më shumë masave si autobusë të rinj, sistemit të ri të biletave , Qendrës për menaxhim dhe kontroll të transportit, akoma transporti urban nuk është tërheqës për qytetarët.

“Zhvillimi i rrjetit transportues nuk e ndjek zhvillimin urban, ndërsa kemi edhe konflikt midis linjave direkte dhe nevojës për transport të udhëtarëve me shpejtësitë e ulëta dhe xhirot e ulëta të autobusëve, apo pasagjerët duhet të kalojnë nga autobusi në autobus duke humbur kohë në pritje. Njëherazi edhe shpejtësia e transporti urban nuk mund të krahasohet me veturat, apo autobusët nuk janë konkurrues me veturat”, shton më tej Krstanovski. Sipas tij, në tollovitë më të mëdha në transportin urban në Shkup, në një linjë pritet edhe nga gjashtë minuta, ndërsa pritjet për një autobus mund të zgjasin edhe 10 deri 40 minuta, andaj edhe transporti urban nuk është edhe aq tërheqës për udhëtim.

“Zgjidhje për këtë problem është vendosja krahas autobusëve në transportin urban edhe të transportit të shpejtë dhe me kapacitete më të mëdha të bartjes së udhëtarëve siç është për shembull tramvaji. Nëse pasagjerët kanë mundësi që shpejt dhe në mënyrë komode të arrijnë deri tek një destinacion, ato vetë gradualisht do të heqin dorë nga përdorimi i veturave”, thotë eksperti Krstanovski.

Në ndërkohë nga Qyteti i Shkupit thonë se punojnë jo vetëm në vendosjen e tramvajit si mjet transportues në Shkup, por edhe në ndryshimin e linjave të autobusit. Me fjalë të tjera, planifikohet që sistemi i ri i linjave të autobusit të jetë komplementar me lëvizjen e tramvajit nëpër rrugët e kryeqendrës së vendit, apo pasagjerët do të kenë mundësi shpejt të kalojnë nga një mjet transportues në tjetrin. Njëherazi punohet që Shkupi të fitojë sistem efikas , ekologjik dhe financiarisht të qëndrueshëm të transportit publik. I tërë projekti i tramvajit në Shkup do të kushtojë afër 270 milionë euro i financuar me të holla nga fondet evropiane apo nga arka e shtetit. Planifikohet që fillimisht të vendoset në funksionim traseja prej Novo Lisiçe deri në Gjorçe Petrov, traseja e dytë do të jetë prej Draçeve deri në Butel, e treta prej Avtokomande deri në Bitpazar , dhe e katërta prej Gjorçe Petrov deri në Saraj.

Ndryshe, në vendosjen e sistemit të tramvajit do të përdoren edhe përvojat e qytetit të Zagrebit ku në qendër të qytetit në minimum qarkullojnë autobusët urban, ndërsa më shumë qarkullon tramvaji për transport të udhëtarëve në transportin urban. (koha.mk)

Desk
By Desk 24 Prill, 2019 19:32