Media online, përgjegjësia që (nuk) ekziston!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Gusht, 2022 16:49

Media online, përgjegjësia që (nuk) ekziston!

Shkruan: Driton ZENKU

Gati 72% për qind e shfrytëzuesve të internetit në Maqedoninë e Veriut lexojnë lajme onlajn, tregon hulumtimi i Eurostatit. Situata në Maqedoninë e Veriut, është lartë poshtë e afërt me shtetet e tjera të rajonit. Në Greqi (90 %), Mal të Zi (80%), Serbi (77%), ndërsa në Shqipëri (58%).

Statistika interesante. Në BE, nëntë nga dhjetë persona të moshës 16 dhe 74 vjet, kanë përdorur internetin vitin e kaluar, ndërsa më shumë për leximin e lajmeve.

Sipas Eurostatit, leximi i “faqeve onlajn për lajme” është më i popullarizuar tek grup mosha prej 25 deri 54 vjeç (75 për qind). Sipas shkallës së arsimit megjithatë, lajme onlajn lexojnë njerëzit me arsim të lartë – 85 për qind, ndërsa tek qytetarët me nivel më të ulët arsimor ajo përqindje është 57. 

Tashmë botërisht është pranuar se mediat online si fenomen global paraqesin katëgori dinamike. Shfaqja e tyre shënon ritme të shpejta, ndërsa receptimi i tyre po kalon nëpër studime të shumta teorike dhe konceptuale.

Nisur nga fakti që e tashme dhe e ardhmja e informimit mbeten mediat online, përpjekjet për vendosejn e standarteve të informimit, profesionalizimit dhe rregullit ligjor, mbetet imperativ i kohës.

Në Maqedoninë e Veriut gjendja me funksionimit e mediave online është kaotike. Nuk ka ligji që rregullon funksionimin e mediave online.

Vetë-regullimi i mediave i vetmi organizëm i funksionimit

Në regjistrin e mediave profesionale në RMV, aktualisht figurojnë 156 media online, përfshi edhe gazetat ditore edhe disa radio stacione si dhe televizione lokale dhe nacionale.

Regjistri është krijuar nga Këshilli për Etikë në Media në partneritet me SHGM si dhe disa organizata të tjera. Qëllimi i regjistrit është të shfaqen të gjitha ato media online që plotësojnë kriteret e detyrueshme të KEM për të qenë pjesë e regjistritë të mediave profesionale online.

Këshilli për etikë në media në Maqedoni është njëorganizatë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse, e bazuar në parimin e vullnetit të lirë, që bashkon anëtarët e tij për të realizuar qëllimet dhe aktivitetet e përcaktuara me statutin e organizatës dhe me principet themelore të misionit dhe vizionit që ka. KEMM synon mediat në Maqedoninë e Veriut t’i pranojnë principet e gazetarisë profesionale dhe etike, dhe gjithmonë duke u kujdesur për lirinë e mendimit të lire, shprehjes të lire dhe interesin e publikut.

Këshilli është organ për vetë-regullimin e mediave dhe aktivitetin e vet kryesisht, e bazon mbi verifikimin e sankcioneve publike morale për ato media të cilat nuk i respektojnë standardet profesionale dhe etike të Kodeksit të gazetarëve si dhe principet e federatës ndërkombëtare të gazetarëve.

Online mediat që i respektojnë obligimet ligjore, normat etike dhe standardet profesionale gazetareske duhet të afirmohen si shembull pozitiv dhe të gëzojnë edhe privilegje tjera.

Online mediumi profesional duhet të ketë pronësi të shfaqur në mënyrë transparente, strukturë të shfaqur editoriale, autorë të nënshkruar në tekstet dhe përmbajtjet, kodi etik të jetë i shfaqur dhe të respektojnë atë si dhe politikën e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Një nga hapat e mundshëm është ato kritere të jenë të domosdoshme për anëtarësim në KEMM.

Media online dhe rregullat ligjore

Mediat e reja kanë kushte që të luajnë rol vendimtar në krijimin e mendimit publik, por edhe pas gati dy dekadave debat, në Maqedoninë e Veriut, nuk ka një ligj që rregullon funksionimin e mediave online. Në rrethana të tilla, mediat online nuk janë pjesë e rregullimit ligjor si media të veçanta, por janë të obliguara t’i respektojnë aktet normative njësoj si aktorët tjerë nga sfera e gazetarisë.

Prezantimi medial gjatë kohës së zgjedhjeve dhe fushatave zgjedhore është rregulluar edhe me Kodin Zgjedhor të Republikës së Maqedonisë të miratuar më 29 mars të vitit 2006, ndërsa i ndryshuar në shkurt të vitit 2014. Në nenin 76, 77 dhe 78 përcaktohen rregullat dhe mënyra e raportimit, reklamimit dhe e mbulimit të fushatës zgjedhore nga ana e mediumit.

Përveç rregullimit ligjor, në Republikën e Maqedonisë ekziston akt vetërregullues, me të cilin përcaktohen parimet e sjelljes dhe standardet profesionale të gzetarëve.Kyështë Kodeksi i Shoqatës së Gazetarvë të Maqedonisë së Veriut.

Raporti mbi gjendjen e mediave online në Maqedoninë Veriut që daton nga viti 2017 dhe që u realizua nga Civika Mobilitas, tregon që backgroundi i mediave online në Maqedoni shënon një gjendje të komplikuar funksionimi që determinohet nga faktorë të shumtë dhe që në një farë mënyrë performojnë ekzistencën e tyre në tregun e mediave të reja. Raporti tregon që zhvillimi i tyre njeh një paraqitje të
vrullshme edhe pse vetëm para një dekade prania e tyre ka qenë shumë e kufizuar.

Zoran Riçliev duke folur për mediat online, respektivisht rekomandime pe r ngritjen e integritetit dhe profesionalizmit te online mediave, thotë që online sfera në Maqedoninë e Veriut është e ngarkuar me ueb faqe informative të cilët prezantohen si media. Është evidente se niveli i informimit në online sferën është në nivel të ulët. Si të dallohen mediat e “rreme” nga mediat e “rëndësishme” – zgjidhja është në vetërregullimin, e jo në rregullimin.

Në kohë të fundit, si pasojë e keqpërdorimeve të shumta në sferën e online mediave në Maqedoni thirrjet për “rregullim të portaleve” janë shpeshtuar. Posaçërisht brengos fakti që thirrjet e tilla bëhen nga ana e gazetarëve dhe kryeredaktorëve.

Riçilev shkruan që standardet dhe praktikat botërore, konventat e pranuara ndërkombëtare si dhe debate të shumta, por edhe publikime profesionale e tregojnë të kundërtën – se rregullimi i përmbajtjes të online
mediave është i pamundur dhe i panevojshëm. Duhet vetëm të praktikohen me përgjegjësi ligjet ekzistuese, por sa mban ky konstatim derisa rregullimi ligjor i portaleve, profesionaliteti, kualiteti dhe tregu i pavarur i reklamave janë parakushtet kyçe për zhvillim të mediave online.

Dhe derisa kemi vakum juridik me mos përfshirjen e online mediave në Ligjet për media, na mbetet të luftojmë për informim i të gjithë subjekteve në komunikimin publik për rolin e online mediave, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, si dhe të rregullativës ekzistuese ligjore.

Në udhëzuesin e OSBE-së për vetërregullimin e mediave, Miklosh Harashti përfaqësuesi i OSBE për lirinë e mediave thotë se vetërregullimi mediatik paraqet përpjekje e profesionistëve të mediave që të krijojnë udhëzime vullnetare editoriale dhe të përmbahen në to gjatë procesit të mësimit, i cili është i hapur për publikun. Me atë, mediat e pavarura e pranojnë pjesën e tyre të përgjegjësisë për cilësinë e diskursit publik në vend, njëkohësisht, duke e mbrojtur në tërësi pavarësinë e tyre editoriale në formimin e diskursit”.

Më tepër media online në të zezë se sa legale. Si t’i dallojmë?

Hulumtimet tregojnë që nevojitet praktikë në të cilën mediat do ta garantojnë integritetin e tyre me identitet transparent në lidhje me: pronësinë, strukturës editoriale, autorë, politika e privatësisë si dhe me përpjekjet publike dhe garancia se do të respektojnë standardet etike dhe profesionale.

Lista pozitive siç është regjistri në bazë vullnetare të KEMM, është një nga mënyrat e legjitimimit të mediave profesionale dhe etike.

Edhe në Maqedoninë e Veriut qendrat politike morën ose krijuan ueb faqe, qëllimi i të cilëve nuk është të informojnë, por të bëjnë shtrembërimin e opinionit publik me lajme të rreme dhe me propaganda.

Rezultati final është paraqitja e lajmeve të rreme dhe ndikimi i tyre në informimin e publikut dhe shtrembërimi i diskursit publik.

Ka fakte se si media online, apo portale informuese funksionojnë nga selitë e partive politike, shfrytëzojnë resurset e tyre teknike dhe nga aty realizojnë propagandën e porositur.

Në Rekomandimet për ngritjen e integritetit dhe profesionalizmit te online mediave, jepet konstatimi që ekzistojnë shumë online media ku nuk ka asnjë gazetar profesional, ose individ i cili teorikisht dhe në
mënyrë praktike e kupton rolin e mediumit në shoqëri demokratike.

Rekomanimet flasin që kulti i amatorit, si person i cili pranon dhe zbaton urdhra jo etike dhe përdor teknika të PR-it, përkundër dëshirës të madhe për objektivitet të gazetarëve profesionistë, ndikoi shumë në zgjidhjen e të punësuarve në mediat.

Roli dhe aktiviteti i mediave është publik. Me zvogëlimin e cilësisë së përmbajtjeve mediatike bëhet ndikim i keq në aspekt të edukimit të publikut, i cili nuk do të thotë se ka njohuri mediatike që të bëjë dallim mes përmbajtjeve etike dhe jo etike, mes gënjeshtrës dhe të vërtetës, mes informimit dhe propagandës. I vetmi regjistër që publiku mund të verifikon mediat legale dhe profesionale në RMV është REGJISTRI i krijuar nga KEM.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Gusht, 2022 16:49

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare