Mehmedi: Vota ndaj partive maqedonase dëmton organizimin politik shqiptar, LSDM dhe BDI shqiptarët i shohin si pakicë numerike

Desk
By Desk March 5, 2020 21:32

Mehmedi: Vota ndaj partive maqedonase dëmton organizimin politik shqiptar, LSDM dhe BDI shqiptarët i shohin si pakicë numerike

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët Remzi Mehmedi, sot ka qenë i ftuar në emisionin Rruga e Drejtë në AlsatM, ku debutues kanë qenë gjithashtu Edmond Ademi nga LSDM si dhe Agim Nuhiu nga BDI.

Ai fenomenin e votës ndaj LSDM-së dhe partive maqedonase e ka quajtur të dëmshëm për sistemin dhe organizimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut:

Ky fenomen ndodhi prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, ku një numër i shqiptarëve të zhgënjyer nga politikat dashakeqe dhe jo të mira të partisë në pushtet, e panë rrugë të vetme rrëzimin e Nikolla Gruevskit i përkrahur nga BDI, dhe votuan LSDM-në. Ne si Aleancë për Shqiptarët u munduam ta ndalojmë këtë fenomen, nuk ju bashkëngjitëm as fenomenit të revolucionit laraman, dhe as të proceseve tjera. Ne kemi luftuar në mënyrë politike që ky fenomen që është i rrezikshëm për organizimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Edhe në pyetjet që na kanë dhënë se a do të shkojmë në koalicion me ndonjë nga partitë maqedonase, kam thënë se është i rrezikshëm të parashtrohet e lëre më të veprohet. Ky fenomen u mbështet fuqishëm nga BDI-ja në zgjedhjet lokale, ku humbën shumicën e komunave shqiptare, dhe e dini që kampanjën në 80% e udhëhiqte LSDM-ja me funksionarët e saj Zoran Zaevin, Lube Boshkovskin, si në Tetovë, Strugë, Gostivar etj. Dhe tash ndodhi ajo, që BESA hyri në një koalicion paraprak gjë që unë mendoj se nuk do të rritet vota shqiptare ndaj koalicionit LSDM-BESA. LSDM-së i duhet ti ruaj votat që ka pasur në 2016, andaj i duhej një koalicion me partitë shqiptare.

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, ka replikuar edhe bashkëbiseduesin nga BDI, duke i kujtuar koalicionin e BDI-së me LSDM-në në zgjedhjet lokale:

Njëherë dua ta pyes Agim Nuhiun, si mund të mohojë koalicionin me LSDM-në dhe koalicionimin në zgjedhjet presidenciale, kur ishte diçka hapur e bërë dhe me këtë gjë ata krenoheshin. Pastaj flet për politika etatistë të BDI-së, gjë të cilën ende nuk e kemi parë. Përzierja në sistemin gjyqësor nuk është politikë etatistë, ku shtabet e partisë politike bëhen shtabe të punësimeve partiake, nuk mendoj se janë politika etatistë, e sidomos qëndrimi për një dekadë me rradhë në krye me një diktator si Nikolla Gruevski, i cili i pengoi politikat euroantlatike me të cilat krenohen tani këto të BDI-së.

Ai pati kritikë edhe ndaj Ademit të LSDM-së, ku sipas Mehmedit LSDM shqiptarët i trajton si pakicë numerike:

Ju jeni sjellë dhe silleni sikur të jeni pronar të këtij shteti, dhe shqiptarët ti trajtoni si pakicë numerike, dhe ju të keni të drejtën tu jepni të drejta aq sa ju dëshironi. Dhe kur arrihet një e arritur për shqiptarët ju dilni e thoni ju dhamë kaq. Kush jeni ju të jepni diçka nga ajo që ju takon?/news33.tv

Desk
By Desk March 5, 2020 21:32