Mënyra më e saktë, si të zieni mishin e pulës duke ruajtur vlerat ushqimore

Mënyra më e saktë, si të zieni mishin e pulës duke ruajtur vlerat ushqimore

Nuk ka dyshim se recetat e gatimit me mish pule janë fantastike në shije, veçanërisht në përgatitjen e supave, përgatitja e të cilave me lëng pule dihet që është arma më e fortë kundër gripit dhe ftohjeve.

Mishi dhe lëngu i pulës i ofrojnë organizmit shumë përfitime, falë vitaminave dhe mineraleve që përmbajnë si vitamina A, selenium, fosfor, kolinë, vitaminë B etj.

Megjithëse ka shumë mënyra në gatimin e mishit të pulës, një nga ato më bazike dhe më të shëndetshme është zierja.

Kjo është dhe mënyra më e mirë për të ruajtur lëngun e saj dhe për ta përdorur në gatimin e supave dhe gjellëve të ndryshme.

Por dilema më e madhe e zierjes ideale të mishit të pulës është koha e zierjes për pjesët e ndryshme të saj më vete, kofshët, gjoksin dhe krahët.

Koha e zierjes së mishit të pulës varet nga pjesa e pulës që ju do të përdorni për të gatuar.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë udhëzimet perfekte të kohës që duhet të gatuhet mishi i pulës për secilën pjesë të saj.

Gjoksi i Pulës

Nëse përzgjidhni pjesën e gjoksit të pulës për të gatuar përfshirë këtu edhe pjesën e kockës që ka në mes koha perfekte e zierjes është 30 në 45 minuta në varësi të madhësisë në pjesës së gjoksit.

Nëse preferoni që këtë pjesë ta zieni pa pjesën e kockës atëherë koha e zierjes është nga 25 në 30 minuta.

Pjesa e Kofshës së Pulës

Kofshët janë fantastike në përgatitjen e shumë gatimeve. Koha perfekte e zierjes së tyre është rreth 40 minuta. Në këtë mënyrë mishi do të zbutet plotësisht dhe do të marrë shijen e duhur.

Pjesa e Krahëve të Pulës

Ndonëse është pjesa që ka më pak mish, ajo vlerësohet për shijen e mirë që u jep sidomos supave dhe lëngun e plotë që krijon gjithashtu.

Për zierjen e krahëve të pulës rekomandohen 35-45 minuta.

Zierja e Pulës së Plotë

Nëse preferoni ta zieni pulën të plotë dhe të pa ndarë në pjesë koha e duhur e zierjes është rreth 1 orë.

Kur Mishi i Pulës është i Ngrirë

Në rastet kur mishin e pulës e keni të ruajtur në ngrirje në frigorifer, AgroWeb.org ju këshillon se është e rëndësishme që më parë të siguroheni që mishi të shkrijë plotësisht e më pas të vijoni me zierjen dhe gatimin.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për zierjen e mishit në përgjithësi disa amvisa preferojnë ta shtojnë kripën në fillim dhe disa të tjera në fund.

Në të gjitha rastet e zierjes, rekomandohet që kripa të shtohet në momentin kur mishi sapo nis të ziejë.

Konsumoni pula të freskëta të vendit./AgroWeb.org

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 22 Janar, 2020 22:43

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.