Merkel: Do të arrijmë konsensus me Francën për fillimin e negociatave

Merkel: Do të arrijmë konsensus me Francën për fillimin e negociatave

Nga kongresi i partive popullore evropiane që u mbajt në Zagreb, kancelarja gjermane Angela Merkel  u zotua se do të arrijë konsensus me Francën, në mënyrë që sa më parë të fillojnë negociatat me Shkupin dhe Tiranën.

Duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar, që duhen ndryshuar në procesin e zgjerimit. Duam marrëveshje në mënyrë që sa më parë të arrijmëprogres në rastin konkret- deklaroi Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.

Merkel shtoi se reformimi i metodologjisë së zgjerimit të BE-së, nuk duhet ta tërheqë BE-në nga premtimet e bëra. Edhe ish kryeministri slloven, Janez Jansha theksoi se BE duhet t’i shmang standardet e dyfishta dhe të fillojë negociatat me Shkupin.

Ka detyra të vështira dhe humbje kohe dhe ka detyra që mund të implementohen lehtë nëse ka vullnet të mjaftueshëm politik. Le të fillojmë me to! Le t’i mbajmë premtimet tona dhe të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut! Bullgaria, Rumania dhe Kroacia gjithashtu i kanë plotësuar kriteret për zonën e Shengenit. Le t’i fusim brenda dhe siguria në gjithë Evropën do të përmirësohet- tha Janez Jansha, Kryetar i Partisë Demokratike të Sllovenisë.

Në kongresin e PPE-së u miratua rezolutë urgjente për nevojën e aktivizimit të perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Mes tjerash rezoluta në fjalë konkludon: Ballkani Perëndimor mbetet rajon i rëndësishëm strategjik për BE-në; Komisioni i ri Evropian duhet menjëherë të analizojë politikën e zgjerimit dhe të ndihmojë në kthimin e vendimit negativ sa më parë; Këshilli Evropian dhe shtetet-anëtare të angazhohen për hapjen sa më parë të negociatave me dy vendet; Këshilli Evropian, Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian të inkurajojnë reformat në Mal të Zi, Serbi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë; Samiti i Ballkanit Perëndimor në Zagreb në maj të 2020-tës të jetë mundësi unike për t’iu kthyer dhe rishqyrtuar procesin e zgjerimit.

Partitë Popullore Europiane (PPE) aprovuan një draft-rezolutë emergjente gjatë Kongresit në Zagreb. Dokumenti fton Këshillin dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian që të marrin një vendim pozitiv sa më shpejt që të jetë e mundur për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Draft-rezoluta përmend efektet negative të mungesës së dritës jeshile gjatë Këshillit Europian të tetorit, ndërsa nxit vendet e Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë me reformat e kërkuara. Partitë Popullore Europiane nënvizojnë në dokumentin e aprovuar se mungesa e çeljes së negociatave krijon kushte për zgjerimin e ndikimit të aktorëve të huaj në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Sakaq, kancelarja gjermane ka thënë në Zagreb se do të bisedojë me Francën për të krijuar kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron konsensus sa më të shpejtë me Francën për reformimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Këtë ajo e tha të mërkurën në Zagreb, pas një takimi me homologun e saj kroat, Andrej Plenkoviç.

“I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë Bashkimit Evropian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”

Duke pasur parasysh propozimin e ri të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit, kancelarja gjermane tha:

“Ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar , që duhen ndryshuar, në procesin e zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse qysh sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël,”

Merkel tha më tej se reformimi i zgjerimit “duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi”. Ajo paralajmëroi se reformimi nuk duhet të ketë si pasojë BE-ja të tërhiqet nga premtimet e bëra.

Kancelarja gjermane ndodhet në Zagreb për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore të Evropës, duke përfaqësuar kryetaren e partisë së vet, Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila është duke përgatitur kongresin e CDU-së, që do të zhvillohet të premten, 22.11. në Lajpcig.

Kroacia do të jetë kryetare e radhës e BE-së në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa Gjermania në gjysmën e dytë. Të dy vendet janë mbështetës të fuqishëm të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 21 Nëntor, 2019 09:43

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.