Merkel mbështet integritetin territorial të Gjeorgjisë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 23 Gusht, 2018 20:09

Merkel mbështet integritetin territorial të Gjeorgjisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ripërsëriti sot në Tbilisi mbështetjen e saj për integritetin territorial të Gjeorgjisë, 10 vite pas luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, që pasoi me njohjen nga Moska të dy territoreve separatiste gjeorgjiane.

“Gjatë vizitës time të fundit në Gjeorgji, para 10 vitesh, kam kërkuar tërheqjen e trupave ruse”, deklaroi Merkel, që kishte vajtur në këtë vend të Kaukazit në gusht 2008, disa ditë pas përfundimit të luftës disaditëshe mes Moskës dhe Tbilisit, shkruan ATSH.

“Sot, sigurisht, jam për integritetin territorial të Gjeorgjisë”, theksoi ajo në një konference për shtyp gjatë një vizite në Tbilisi, tre ditë nga 10-vjetori i njohjes nga Moska të pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkazisë.

Rusia dhe Gjeorgjia u përballën në gusht 2008 gjatë një lufte vetëtimë prej pesë ditësh, pasi Tbilisi filloi një operacion ushtarak të përgjakshëm në Osetinë e Jugut, territor separatist prorus që ishte shkëputur në vitin 1990 nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 23 Gusht, 2018 20:09