Mes viktimave, edhe futbollistë! Lojtarët shqiptare që luajnë në Turqi tregojnë momentet e tmerrit

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Shkurt, 2023 23:08

Mes viktimave, edhe futbollistë! Lojtarët shqiptare që luajnë në Turqi tregojnë momentet e tmerrit

Tragjedia në Turqi dhe Siri ka qenë kryefjala e ditës dhe mes shumë jetëve të humbura dhe mes të munguarve në listat e gjata gjenden edhe shumë futbollistë.

Në shtetin turk janë disa futbollist shqiptarë të cilët për fat janë mirë dhe larg zonës së prekur nga tërmeti i mëngjesit. Mes tyre mesfushori i kombëtares Endri Çekiçi i cili me skuadrën e tij Koniaspo nga qyteti i Konias në qendër të Turqisë tregon për Top Channel këto orë paniku.

“Për fat të mirë, këtu ku ishim ne me ekipin, sepse erdhëm dje për ndeshjen në Stamboll, nuk ka pasur njerëz të dëmtuar dhe as dëme materiale. Fluturimet janë anuluar dhe nesër duhet të kthehemi me tren”.

Ndërkohë aktivitetet futbollistike, si shumë të tjera, janë ndërprerë.

“Kampionati aktualisht është pezulluar dhe pritet që në dy javët e ardshme të bëhet pauzë e të gjitha ekipeve. E rëndësishme në këëto momente është vetëm jeta e njerëzve”.

Edhe mesfushori tjetër Eduard Rroca, futbollist i skuadrës nga Stambolli Istambul Sport tregon këto momente të frikshme që po përjeton edhe pse larg epiqendrës.

“Gjendja është alarmante, nuk është një situatë aspak e mirë. Ne jemi larg dhe nuk kemi ndjerë asgjë”.

Ish-kapiteni i skuadrës së tij Onur Ergun sot pjesë e Hatayaspor, skuadër e cila numëron disa futbollistë të zhdukur dhe dy prej tyre që kanë humbur jetën, ishte gjithashtu mes të zhdukurve. Megjithatë, Rroca zbulon lajmin e mirë për të në një komunikim që ka patur.

Pyetje: Vëlla, ku je? Si je?

Përgjigje: Jam mirë, lajmet që kanë dalë nuk janë të vërteta, por këtu ku jam nuk kisha linjë dhe nuk kap telefoni. Do të flasim pasi të qetësohen gjërat mos u bëj merak.

Rroca është me bashkë me familjen në Turqi dhe sado larg ndjenja e frikës ekziston.

“Po jetojmë në gjendje frike dhe sot jemi zgjuar si në traumë, tani dolëm të hamë diçka. Në momentin që je i pafuqishëm, nuk mund të bësh asgjë, sa herë sheh këto lajmet, aq më shumë përfshihesh emocionalisht. Ne e kemi akoma të freskët, sepse kur ndodhi lajmi në Tiranë ishim aty”.

Top Channel

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Shkurt, 2023 23:08

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare