Meta: Pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet në Serbi, me rëndësi madhore

Meta: Pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet në Serbi, me rëndësi madhore

Pjesëmarrja e popullsisë shqiptare në zgjedhjet e ardhshme në Serbi është me rëndësi madhore.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me anë të një deklarate për shtyp thekson se, “ka ndjekur dhe ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në Luginën e Preshevës e në mënyrë të veçantë zhvillimet politike lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Serbi”.

“Presidenti Meta ka bërë thirrje në vijimësi për zgjidhjen në mënyrë demokratike të të gjitha çështjeve që shqetësojnë popullsinë shqiptare të Luginës dhe të gjithë shqiptarët në Serbi. Në këtë kontekst, pjesëmarrja në zgjedhje, si ato të përgjithshme, ashtu dhe lokale, është me rëndësi madhore”, thuhet në deklaratë.

“Presidenti Meta inkurajon të gjitha forcat politike të Luginës së Preshevës dhe të gjithë popullsinë shqiptare kudo ku jeton në Serbi, të marrin pjesë në zgjedhje, të unifikojnë qëndrimet, në mënyrë që të maksimalizojnë rolin dhe kontributin e tyre në institucionet e ardhshme, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal”, vijon deklarata.

“Presidenti Meta shpreh bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore, bashkëpunimi i të gjithë subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi”, përfundon deklarata e Presidentit Meta. /ATSh

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 10 Shkurt, 2020 20:00

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.