Unë nuk dua të akuzoj askënd, por nuk e di se ato zotërinjtë para meje çfarë kanë bërë – thotë i habitur në Klan Debat, Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Duke komentuar gjendjen në Spitalin e Tetovës ku asnjëri nga ashensorët për bartjen e pacientëve nuk ka qenë në funksion, Mexhiti deklaroi se pajtohet me qytetarët dhe se gjendja me të vërtetë është e mjerueshme. Mexhiti vuri theksin tek buxheti, sipas tij, i sakatuar që e ka trashëguar.
“Unë nuk e ndjej veten si politikan. Unë e ndjej veten si mjek. Gjithmonë do ta mbaj anën e Shëndetësisë dhe unë këto ankesa i kam pasur të përditshme edhe në punën time si mjek. Më besoni, ballafaqohemi me situata shumë të rënda”, tha mes tjerash Mexhiti në Klan Debat me Xhumadije Ibrahimin.
Mexhiti zbulon shifra të frikshme: Gjatë vitit 2022 kanë ikur 1000 mjekë
Deri në prill të këtij viti janë larguar 75 mjekë nga Maqedonia drejt vendeve të Evropës, ndërsa vitin e kaluar ky numër ka qenë alarmant. Sipas ministrit Fatmir Mexhiti, një mijë mjekë nga Maqedonia janë larguar nga vendi vetëm gjatë vitit 2022, përcjell Klan Macedonia.
“Në 10 vitet e fundit janë diku tek 3000 mjekë që kanë shkuar në shtetet perëndimore dhe në shëndetësinë private. Viti i fundit, 2022 kanë shkuar 1000 mjekë. Deri në prill të këtij viti 75 mjekë”, tha mes tjerash Mexhiti në Klan Debat.
SIpas tij, mjekët nuk ikin vetëm shkaku i pagave, por edhe nga mungesa e sigurisë në shtet.
A do të kenë rritje page motrat medicinale në ambulantat private?
I pyetur nga gazetarja Xhumadije Ibrahimi në Klan Debat se a po merren masa për rritjen e pagave edhe për motrat medicinale që punojnë në institucionet private shëndetësore, ministri Mexhiti pohoi se ka iniciativë të tillë. Mexhiti theksoi se për shpejt ohë do të arrihet rezultat konkret në këtë drejtim.
“Kemi iniciativa të tilla. Kemi biseduar me Odën e mjekëve, Odën e farmacistëve, Odën e stomatologjisë edhe në këta klinikat që quhen koncesione apo private të ketë një balans dhe një limit se deri ku mund të zbresë rroga e një punëtori shëndetësor, të mos mund të nënçmohen mjekët, të mos nënçmohen motrat. Jemi në bisedime intensive dhe kjo për një kohë të shkurtër do të realizohet”, theksoi Mexhiti në klan Debat.
Mexhiti: Çdo drejtor të japë llogari edhe sikur të jetë i Aleancës
Në krye të institucioneve shëndetësore ka pasur njerëz të paaftë, që nuk kanë ditur të menaxhojnë me buxhetin e spitaleve. Ky është konstatimi i ministrit Fatmir Mexhiti, i cili në Klan Debat me Xhumadije Ibrahimin deklaroi se do të kërkojë çdo 6 muaj llogari nga drejtorët e spitaleve.
A i cili nuk e bën këtë apo nuk është i aftë për të menaxhuar, sipas Mexhitit do të largohet nga pozita, përcjell KlanM.
“Unë përgjigjem për veten si Ministër i Shëndetësisë dhe kabinetin tim.Ata që nuk do ta kryejnë punën e të japin llogaridhënie në 6 muaj, nëse nuk e bëjnë punën, kush të dojë të jetë, qoftë edhe i Aleancës për Shqiptarët nga vij unë, do të shkojë te puna prej ku ka ardhur apo do të shkojë në shtëpi”, deklaroi ministri Mexhiti.
Deklarim i ministrit Mexhiti: Spitali i Kërçovës si stallë!
Në Klan Debat me Xhumadije Ibrahimin, Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti ndau shqetësimin për Spitalin e Kërçovës, që sipas informacioneve që i dha ministri, ka filluar të ndërtohet prej para 33 viteve e ende nuk po gjen përfundimin.
Ai theksoi se ka kërkuar ndihmë nga kolegët e tij në qeveri, që të mbledhin mjetet dhe ta ndërtojnë spitalin brenda një viti.
“Më besoni, ka një spital në Kërçovë që unë qëllimisht nuk e kam vizituar, por e kanë vizituar të gjithë. Ajo popullatë fisnike e asaj ane të Kërçovës, nuk i meriton ato kushte. Ai spital nuk i ngjan as një stalle e jo më spitali”, tha mes tjerash Fatmir Mexhiti.
Habit ministri Mexhiti: 10 vite pacientët operohen me vegla të ndryshkura
Një deklaratë shokuese ka bërë Ministri i Shëpndetësisë Fatmir Mexhiti në Klan Debat me Xhumadije Ibrahimin. Mexhiti ka theksuar se në spitalet e vendit bëhen operacione me vegla të vjetra e të ndryshkura, përcjell KlanM.
“po ashtu është operuar zonja gazetare. 10 vite është operuar ashtu. Edhe unë habitem. Me kemi porositur menjëherë. Absolutisht, punohet me mjete të ndryshkura dhe unë ndjej keqardhje për këtë. Më besoni. nëse ne fillojmë tani të çojmë inspeksione nëpër të gjitha këto spitale, besoni se gjysmat e spitaleve në Maqedoni nuk i plotësojnë kushtet për të qenë spitale. Ato duhet të mbyllen”, deklaroi Fatmir Mexhiti.
Mexhiti tha se këtë problematikë e ka ngritur edhe në qeveri dhe ka marrë masa të menjëhershme, por ka vonesa për shkak të procedurave.