Mickoski dhe mistreci!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Korrik, 2022 22:13

Mickoski dhe mistreci!

Shkruan Driton ZENKU

Ishte dhjetori i vitit 2019 kur në kongesin e VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski u zgjodh lideri i kësaj partie. Një katërdhjetëvjeçar në moshë, Mickoski hyri në derën e madhe të Pallatit të Bardhë si një kuadër të mos themi anonim por fortë pak i ekspozuar në opinion.

Si një kuadër i pa ekspozuar në opinion, ish lideri i kësaj partie Nikolla Gruevski në kogresin e partisë e servoi para kongresistëve si një pulë të pjekur në pjatë.

Para se të zëvendësonte refugjatin politik, Nikolla Gruevski, Mickoski kishte qenë drejtor në kompaninë shtetërore të prodhimit të energjisë elektrike ELEM.

Në hyrje të dyerve të politikës së madhe, si lider Mickoski filloi betejën personale për të hequr petkun e anonimitetit.

Hyri në zgjedhje politike në vitin 2020 dhe pësoi debakëll. Lidhja Social Demokrate (LSDM) ishte fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Pas humbjes në zgjedhje, zëra brenda partisë kërkonin përgjegjësi dhe largim të tij nga dhoma e liderit në Pallatin e Bardhë. Viti 2020 ishte vit që lëkundi karrigen e Mickoskit nga i pari i partisë. Ishte kryetari i atëhershëm i komunës së Ilindenit, Zhika Stojanosk që thoshte se VMRO-DPMNE ka kapacitet që të udhëheqë me institucione, por duhet bërë ndryshime në parti, duke kërkuar largimin e Mickoskit. Zërat sa vinin dhe shtoheshin.

Mickoski i mbështjellur nga lëvozhga e anonimitetit, tentonte të mban timonin e partisë me energjitë e fundit. Në zgjedhjet e fundit lokale, si pasojë e bojkotit masiv të elektoratit maqedonas, VMRO-DPMNE doli fituese e zgjedhjeve, edhe pse, me ulje drastike të votave që kishte pasur në zgjedhjet parparake.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, partia e Mickosit kishte 335.769, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021 fitoi 288.044 vota, për listat e këshilltarëve. Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2020, VMRO-DPMNE me koalicionin e saj “Ripërtëritje për Maqedoninë” mori 315.344 vota.

Duke shpallur fitoren e Piros dhe nën presionin e largimit nga drejtimi i partisë, Mickoski u trimërua dhe nisi të kërkonte zgjedhje të parakohshme parlametare. Kaloi gati një vit dhe ende nuk ia arriti qëllimit.

Propozimi francez për hapje të negociatave me BE, ishte momenti që Mickoski të ngre zërin dhe të fton popullin në rrugë. Deklaratat e tij tregojnë që Mickoski skijon me skitë që ia mbathi ish lideri që akualisht ndodhet aktualisht si refugjatë i ikur në Hungari për t’i ikur burgut në vendlindje.

Se asnjëherë nuk ishte vetvetja, Mickoski po e dëshmon çdo ditë, por ngjarjet e së mërkurës treguan edhe një dimension tjetër, rolin e mashtruesit duke krijuar insinuata në publik. Postimi i tij i fundit se dikush paska dashur ta vriste ishte maje e hipokrizisë, por pasojë e kompleksit të mungesës së lidershipit.

Cila është e vërteta?

Siç njoftuan mediat, Isuf Koka është personi që u arrestua nga policia pasi gjuajti dy-tre plumba në ajër, pasi prona e tij private – hotel “De Koka”, dhe dy dyqanet në sheshin Skenderbeu u sulmuan nga protestuesit dhe huliganët maqedonas

Dhjetëra huliganë filluan të gjuanin gur në drejtim të dyqaneve te parkingu i Skenderbeut, ndërsa u dëmtuan edhe disa vetura të parkuara. Pasi policia po reagonte me vonesë dhe turma tentoi të futet në Çarshi, pronari i hotel De Koka dhe dy dyqaneve tjera, Isufi nxori pistoletën me leje dhe gjuajti dy-tre plumba në ajër. Protestuesit u larguan, ndërsa pas disa minutave, ai u arrestua.

E lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, është munduar që nëpërmjet këtij incidenti, ta kthejë vëmendjen nga ai.

Në profilin e tij në Facebook, Mickoski shkruan se “ky është personi që sonte deshi të më vrasë”. Megjithëse e vërteta është krejtësisht tjetër – në kohën kur Mickoski dhe turma e madhe kaloi urën dhe arritën gati te Ministria e Punëve të Jashtme, dhjetëra huliganë provokuan situatën në Çarshi dhe Isufi gjuajti në mbrojtje të pronës private.

Ky rast, por edhe raste të tjera dëshmojnë që Mickoski në politikë po shfaqet si një demagog, mashtrues dhe një person që me kriza artificiale tenton të mbijeton në politikë. Qasja e tij në politikë nuk është asgjë tjetër vetëm se një vrapim në staza të shkurta, politikë ‘hë për hë’, sikur të ishte dita e tij e fundit në politikë. Politikanët e tillë mund të jenë çdogjë tjetër por jo edhe politikan karriere.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Korrik, 2022 22:13