Mickoski: Marrëveshja për PSP-në, e mundur
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristjan Mickoski, në emisionin 200 që do të transmetohet sonte në Alsat, tha se ekziston mundësia e arritjes së marrëveshjes për Ligjin për Prokurorinë. Sipas tij, 65 amendamentet e dorëzuara nuk do të tërhiqen por përmes debatit mund të arrihet pajtueshmëri mes pushtetit dhe opozitës për fatin e Prokurorisë Speciale.
Nëse me të vërtet ky ligj do të ishte me rëndësi në dhjetor ose në nëntor do të na e dorëzonin nga Ministra e Drejtësisë, po do të bisedonim. Ne na e dhanë ligjin në muajin mars dhe na thonë ejani tani ta miratojmë. Pikërisht kjo është mere ose leje, pastaj na thonë eja të biem dakord, e si të dakordohemi ne? Ne themi ky është pozicioni jonë ndërsa ai është i juaj, ejani ta gjejmë mesin.- theksoi – Hristjan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së
Mickoski tha se pikërisht për këtë temë kanë biseduar edhe me grupin e 8 deputetëve të përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja. Ai mohoi të jetë arritur ndonjë marrëveshje për kthimin e tyre në VMRO.
Kemi biseduar vetëm për temën e Ligjit për Prokurori, ashtu siç biseduam edhe për grupet e tjera parlamentare dhe partitë e tjera politike, i prezantuam parimet e VMRO-DPMNE-së, i argumentuam të njëjtat, pra aq, biseduam dhe aty e mbyllëm diskutimin tonë që zgjati rreth dy orë.- u shpreh – Hristjan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së
Mickoski nuk pranoi se fushata e VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet presidenciale i dedikohet vetëm maqedonasve. Ai tutje tha se asnjëherë nuk do ta përdor emrin kushtetues të shtetit me shtesë gjeografike, duke u zotuar se me të ardhur në pushtet do të tentoj që të kthej emrin e vjetër por pa treguar se si do të arrijë këtë gjë. Ai tha se Qeveria aktuale karakterizohet me gënjeshtra dhe krim. Mickoski tha se do të votojë edhe në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale edhe nëse Gordana Siljanovska nuk arrin të kalojë në rundin e parë.