Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se nuk do të dëshironte të bëjë koalicion me BDI-në nëse e fiton mandatin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, përcjell FLAKA.
“Vlerësimi im politik në këtë moment është se për VMRO-DPMNE-në qeverisja me BDI-në nuk është skenar i dëshiruar dhe VMRO-DPMNE më së paku e dëshiron atë skenar me këtë kryesi në BDI. Qytetarët do të vendosin se kush do të jetë ortak”, ka thënë Mickoski në “Vetëm e vërteta” në Kanal 5.
Ai nuk ka pranuar të japë një përgjigje konkrete me kë do të bëjë koalicion, duke qenë se partitë shqiptare e kushtëzojnë koalicionin me ndryshimet kushtetuese. Duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE refuzon të mbështesë amendamentet kushtetuese, mbetet pyetja se si Mickoski do ta siguronte shumicën e nevojshme.
“Kush do të jetë partneri i VMRO-DPMNE-së do ta kuptojmë ditën e nesërme kur të mbarojnë zgjedhjet”, tha ai. FLAKA