Ministri Aliu realizoi takim pune me rektorët e universiteteve në vend

Redaksia
By Redaksia 23 Maj, 2023 22:40

Ministri Aliu realizoi takim pune me rektorët e universiteteve në vend

Shkëmbimi i përvojave dhe mundësive të bashkëpunimit ishin në fokusin e takimit të sotëm të punës, të zhvilluar ndërmjet ministrit të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu dhe rektorëve të universiteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kumtoi Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Ministri Aliu e theksoi rëndësinë e transformimit digjital në të gjitha sferat e shoqërisë, veçanërisht në veprimtarinë e arsimit të lartë.

“Nisëm sot konsultimin me rektorët e gjithë universiteteve për ngjitjen e Arsimit të lartë në një nivel tjetër përmes digjitalizimit”, tha Aliu, duke shtuar se teknologjia është pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë.

Ai u shpreh se digjitalizimi ka anët e saj pozitive dhe ku më mirë se në arsim mund të përqafohet, ajo e ka burimin pikërisht aty, për t’u përhapur në përdorim të gjerë nga popullsia.

“Prandaj në këtë bashkëbisedim u dakorduam se do të punojmë ngushtësisht së bashku në përmirësimin e digjitalizimit të universiteteve, dhe do të realizojmë investime të domosdoshme në platforma teknologjike të avancuara, për të përballuar sfidat e kohës dhe për të ruajtur dhe garantuar cilësinë e mësimdhënies“, deklaroi ministri Aliu.

Në këtë kontekst, vuri në pah se MSHIA-ja është e hapur për bashkëpunim, përfshirë edhe në aspekt të përmirësimit të efikasitetit të proceseve administrative në institucionet e arsimit të lartë.

Redaksia
By Redaksia 23 Maj, 2023 22:40