Ministri i Arsimit premton zgjidhje për mederesantët

Desk
By Desk April 18, 2019 17:53

Ministri i Arsimit premton zgjidhje për mederesantët

Ministria e Arsimit premton zgjidhje të çështjes së medresantëve në lidhje me maturën shtetërore. Numri një i kësaj ministrie, Arbër Ademi, deklaroi sot se, Ministria e Arsimit po merret me zgjidhjen e kësaj çështje. Ai tha se është i vetëdijshëm se është një çështje për të cilën duhet reaguar shpejtë, megjithatë nuk mund të zgjidhet brenda natës, sepse  nevojitet ndryshim i ligjit për arsim të mesëm.

Arbër Ademi, Ministër i Arsimit

“Çështja e shkollave të mesme fetare është në tavolinën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që do të thotë se e kemi në rend dite si çështje, e cila disa vite, ndoshta edhe dekada nuk është zgjidhur në Maqedoninë e Veriut. Ashtu siç kemi filluar me zgjidhjen e shumë probleme që i kemi si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, po ashtu edhe çështja e medresantëve dhe shkollave të mesme religjioze është në tavolinën tonë dhe kur të hapim ligjin për arsim të mesëm. Pra, kur do t’i bëjmë ndryshimet atëherë do t’i referohemi edhe kësaj çështje dhe besoj se në këtë drejtim do të kemi edhe mbështetjen e deputetëve të Kuvendit, për arsye se nevojiten ndryshime ligjore”.

Ministria e Arsimit para disa viteve, solli vendim që pas përfundimit të shkollës së mesme t’i nënshtrohen edhe maturës shtetërore, si pjesë të diplomës së arsimit të mesëm. Megjithatë, ky ligj parasheh gjimnazet, shkollat profesionale dhe të arteve dhe jo edhe medresetë. Me këtë, maturantët e këtyre shkollave, nuk kanë të drejtë të regjistrohen në fakultete të fushave të tjera, për shkak se nuk i janë nënshtruar maturës shtetërore.  Në ligjin për arsim të lartë thuhet se, të drejtë për regjistrim në ciklin e parë të studimeve akademike, si dhe të studimeve në fushën e artit, kanë vetëm personat që kanë kaluar maturën shtetërore, maturë ndërkombëtare apo personat që kanë përfunduar arsim të mesëm katërvjeçar, sipas rregullave që kanë qenë në fuqi para maturës shtetërore. /SHENJA/

Desk
By Desk April 18, 2019 17:53