Ministria e Drejtësisë e Kosovës: Nuk dihet vendndodhja e Afrim Ismailoviç

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 29, 2019 19:14

Ministria e Drejtësisë e Kosovës: Nuk dihet vendndodhja e Afrim Ismailoviç

Autoritetet kosovare nuk e dinë se ku ndodhet Afrim Ismailoviç, i dënuar në mungesë për rastin “Monstra”, ndaj të cilit autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar, pasi ai ndodhet në arrati.

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës ka informuar përmes letrës zyrtare Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut se ata kishin marrë një përgjigje nga prokurori publik kompetent se aktualisht nuk dihet vendndodhja e të akuzuarit, Afrim Ismailoviç.

“Për shkak të interesit publik për ekstradimin e Afrim Ismailoviç, i akuzuar në rastin “Monstra”, dëshirojmë që t’ju informojmë se Ministria jonë e Drejtësisë ka marrë informata nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës se të njëjtit kanë pranuar përgjigje nga Prokurori Publik kompetent se aktualisht nuk dihet ku ndodhet i akuzuari, Afrim Ismailoviç”,- thuhet në komunikatën nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nga kjo ministri bëjnë të ditur se do t’i dërgojnë një kërkesë urgjente autoriteteve kompetente të Kosovës për të bërë përpjekje që të gjendet personi dhe i njëjti të ekstradohet në RMV që të dalë para drejtësisë.

Ndërkohë, në vend zhvillohet procesi gjyqësor për këtë rast, i cili është kthyer në rigjykim, pasi vitin e kaluar Gjykata Supreme shfuqizoi aktvendimet dhe rastin e mori Prokuroria Speciale. Por, lënda sërish është në duart e Prokurorisë Publike, megjithëse e përfaqësojnë ish prokurorët e Species, Fatime Fetai dhe Gavril Bubevski, ndërsa të akuzuarit janë lënë të mbrohen në liri. (TVM2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 29, 2019 19:14